Si u dogj investimi prej 17 milionë eurosh i Urgjencës së QSUT, 44 ditë pa shërbim

Alban Fico është larguar nga drejtimi i Qendrës Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’ në Tiranë. Shkak dyshohet se është bërë zjarri që përfshiu urgjencën e re.

Urgjenca në spitalin e sëmundjeve të brendshme në QSUT është jashtë funksionit prej 11 shkurtit, kur në katin -1 të saj ra një zjarr.

Shkaqet e zjarrit po hetohen nga Prokuroria e Tiranës, ndërsa drejtoria nuk mori masa pas ngjarjes për menaxhimin pa vonesa të urgjencave.

44 ditë që nga rënia e zjarrit, qytetarët sorollaten, teksa u vonohet ndihma e shpejtë.

50 deri në 60 raste në 24 orë dërgohen tek Urgjenca e Traumës, pasi nuk marrin shërbimin tek Urgjenca e Sëmundjeve të Brendshme.

Shërbimi i Urgjencës është pjesë integrale e Spitalit të Ri të Sëmundjeve të Brendshme. Godina 7-katëshe u mor në dorëzim nga Ministria e Shëndetësisë vetëm pak muaj më parë.

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar më herët se Spitali i ri i Sëmundjeve të Brendshme (dhe Urgjenca e Re) përbëjnë investimin më serioz në Shëndetësi në 30 vitet e fundit.

Investimi për Spitalin e Ri në Qendrën Spitalore Universitare ka kushtuar rreth 17 milionë euro. Nga kjo vlerë, më shumë se 11 milionë euro janë shpenzuar për godinën dhe pjesa tjetër për aparatura spitalore.

Publikuar nga Publik Media