Si u godit nga plumbat makina e anëtarit të FRPD në Rinas
Po priste nënën në aeroport!
Breshëria e plumbave që shoqëroi ekzekutimin e Gilmando Danit mesditën e 12 nëntorit ka prekur edhe një automjet tip “Passat”, i cili ndodhej i parkuar pranë vendit të ngjarjes.
Sipas deputetit demokrat Besart Xhaferi, automjeti i përkiste një anëtari të Forumit Rinor të Partisë Demokratike (FRPD), i cili ndodhej brenda në makinë në momentin e atentatit, ndërsa priste nënën e tij që po kthehej nga Spanja me të njëjtin avion me Danin dhe Muçi Shaljanin (Sheqerin).
“Kam folur me të. Ka qenë brenda në makinë, është shumë i tronditur. Fatmirësisht ka shpëtuar, por imagjinoni çfarë t’i thuash një të riu pas kësaj ngjarjeje, që ka shpëtuar për fije, për disa centimetra. Makina e tij është goditur nga katër plumba. Falë Zotit nuk pati viktima të tjera, Zoti i shpëtoi njerëzit që ndodheshin aty pranë,” – deklaroi Xhaferi për Euronews Albania.
Sipas policisë, makina e autorëve u gjet e djegur rreth një orë pas ngjarjes në fshatin Halil të Fushë-Krujës, ndërsa hetimet për zbulimin e identitetit të atentatorëve vijojnë intensivisht.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



