E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Si u shpronësua toka te ‘Air Albania’ për llogari të ‘Eldi Tropojanit’
Lajme

Si u shpronësua toka te ‘Air Albania’ për llogari të ‘Eldi Tropojanit’

Operacioni më i fundit i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), që goditi emra të njohur të botës së krimit dhe biznesit në kryeqytet, ka nxjerrë në dritë një tjetër skemë të dyshuar për përfitimin e fondeve publike përmes procedurave të shpronësimit.

Sipas dosjes hetimore, bëhet fjalë për një truall të ndodhur në një nga zonat më të lakmuara të Tiranës, pranë stadiumit “Air Albania”, ku aktualisht funksionon “Shkolla e Biçikletave”.

Nga hetimet rezulton se prona ishte regjistruar në bashkëpronësi dhe pjesë të saj ishin përfituar përmes kontratave të dhurimit nga persona nën hetim, mes tyre Denis Matoshi (i njohur si Eldi Dizdari), Artur Shehu dhe Elton Memeti. Dizdari ishte identifikuar më herët nga SPAK si drejtues i kartelit “Bello”, i konsideruar si karteli i parë shqiptar i drogës.

SPAK bën me dije se, me vendimin nr. 29, datë 7 nëntor 2021, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë vendosi sekuestro preventive mbi këtë pasuri, një truall me sipërfaqe 5,269 metra katrorë në zonën kadastrale 8160, në rrugën “Dervish Hima” në Tiranë.

Sekuestroja përfshinte pjesën takuese prej 2163/30000 të Denis Matoshit, si dhe të drejtën e tij për të përfituar vlerën e shpronësimit nga Komisioni i Posaçëm i Shpronësimeve, në cilësinë e bashkëpronarit.

Sipas dosjes, vlera paraprake e shpronësimit për pjesën e tij ishte rreth 8.1 milionë lekë, ndërsa aktualisht kjo pasuri është konfiskuar.

Megjithatë, pavarësisht se një pjesë e pronës ishte nën sekuestro, trualli u shpronësua më vonë nga shteti shqiptar, me kërkesë të Bashkisë së Tiranës, me argumentin e realizimit të një projekti me interes publik.

Bëhet fjalë për projektin e “Shkollës së Biçikletave”, i miratuar me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 510, datë 27 korrik 2022.

Dosja e SPAK/ Si u shpronësua toka te stadiumi 'Air Albania'

“Shkolla e Biçikletave”

Për këtë pronë, shteti akordoi një fond prej 352,859,661 lekësh, me një vlerë prej 66,969 lekësh për metër katror, shumë e cila iu shpërnda bashkëpronarëve të truallit.

Hetimet e SPAK kanë zbuluar se, përpara shpronësimit, mbi këtë pasuri janë kryer një sërë transaksionesh të dyshimta. Sipas dokumentacionit të administruar nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, nga viti 2017 deri në vitin 2022 janë realizuar dhjetëra kontrata dhurimi mes bashkëpronarëve fillestarë, personave nën hetim dhe palëve të treta.

Prokuroria dyshon se këto lëvizje të pronësisë janë kryer në mënyrë të koordinuar dhe kanë pasur si qëllim përfitimin e kompensimeve financiare nga procesi i mëvonshëm i shpronësimit.

Në dosje përmendet gjithashtu se një pjesë e bashkëpronarëve kishin lidhur kontrata sipërmarrjeje me shoqërinë “A@AMIV” sh.p.k., e regjistruar në vitin 2020 dhe me ortak shtetasin Joanis Liaçis, i njohur edhe si Klodian Liçaj.

Sipas SPAK, kjo kompani nuk dispononte licencat dhe kapitalin e nevojshëm për të zhvilluar projektin për të cilin kërkohej leje zhvillimi, çka ngre dyshime të forta mbi rolin e saj në këtë skemë.

Shpronësimi i kësaj pasurie dhe përfitimet financiare të personave nën hetim janë tashmë pjesë e verifikimeve të SPAK, i cili po heton nëse procedurat janë përdorur për të kanalizuar fonde publike drejt individëve të lidhur me krimin e organizuar.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.