E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Si u vu në pranga dhunuesi kronik i vajzave!
Lajme

Si u vu në pranga dhunuesi kronik i vajzave!

Kush është 30-vjeçari ndaj të cilit ka edhe 8 kallëzime të tjera në polici

Denis Telo është arrestuar sërish nga Policia. Dy ditë më parë, ai sulmoi dy femra teksa ishin në rrugën e tyre.

Mësohet se ai ka dalë nga palestra dhe i ka sulmuar qytetaret teksa ato, dy motra, kishin dalë të bënin pazarin. Ngjarja e rëndë është arkivuar nga kalimtarët e rastit, ndërkohë që janë përpjekur edhe të tjerë të neutralizojnë personin, i cili i sulmonte dy motrat nga koka. Më pas, u bë me dije se dy vajzat e sulmuara ishin Mirela dhe Albina Ruko, të cilat nuk janë të panjohura për opinionin publik për shkak të angazhimit të tyre qytetar.

Sipas të dhënave të Policisë, bëhet me dije se Denis Telo, 30 vjeç, është vënë në pranga menjëherë sapo është vënë në lëvizje Policia pas një mori telefonatash nga ana e qytetarëve, të cilët kanë qenë dëshmitarë të dhunës brutale të ushtruar ndaj tyre.

Policia bëri me dije zyrtarisht se “specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë nr. 3 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit D. T., 30 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”. Arrestimi i tij u bë pasi gjatë ditës se djeshme kanë bërë kallëzim shtetaset A. R., 26 vjeçe dhe M. R., 29 vjeçe, banuese të dyja në Rrugën e Bogdanëve, se një shtetas i ka goditur me grushte pa arsye po në këtë rrugë, rast i cili është bërë publik dhe në rrjete sociale. Pas denoncimit, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë duke shoqëruar në ambientet e Policisë shtetasin D. T., ku në përfundim të veprimeve u bë dhe arrestimi i tij. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale”

PO KUSH ËSHTË DHUNUESI-MANIAK?

Sipas të dhënave, bëhet me dije se ky person është denoncuar me dhjetëra herë në Polici. Ndaj tij janë të regjistruar plot 8 dosje të tjera të ngjashme me sulmin brutal ndaj dy motrave Ruko. Askush nuk e di se përse nuk është mbajtur në qeli apo i izoluar, ai person, por saktësohet se edhe para pak ditësh, emri tij është denoncuar sërish në Polici për dhunë në rrugë. Akti i tij duke sulmuar femrat në rrugë u bë viral në rrjetet sociale, pasi njihej edhe nga Policia si dhunues përsëritës i vajzave në rrugët e Tiranës. Ai është vënë në pranga edhe 1 vit më parë, pikërisht për të njëjtat akuza dhe sërish është lënë i lirë.

Denis Telo mësohet se është dhunues përsëritës. Në Polici për të flenë 8 kallëzime për të njëjtën vepër me kalimtare të tjera, por pas denoncimit të dy aktivisteve të Organizatës Politike dhe organizimit të një proteste përpara Drejtorisë së Policisë, 30-vjeçari u vu në pranga nga forcat e Komisariatit nr. 3 në Tiranë.

“Ne vajzat dhe gratë e kemi lirinë për të ecur në qytet, por atë liri na e kanë marrë institucione si Prokuroria, Policia dhe gjykatat. Pse lirohet Denisi? Pse na marrin lirinë”, u shpreh Mirela.

Ajo ka bërë publike edhe momentet kur janë gjendur në breshërinë e grushteve të djalit që bën edhe palestër për të sulmuar femra.

Ajo ka sqaruar se bashkë me motrën e vet sapo kishin dalë nga shtëpia dhe ishin nisur në drejtim të tregut të fruta-perimeve në lagjen e tyre. Sapo kanë kaluar rrugën, i riu i ka sulmuar brutalisht. Fillimisht, ai i ka sulmuar me shpatull për të krijuar idenë se është penguar dhe më pas i ka sharë dhe ka nisur t’i gjuajë të dyja vajzat në pjesën e kokës. Për fat kanë qenë bashkë dhe menjëherë janë afruar edhe persona të tjerë për t’i ndihmuar vajzat. Mirela ka thënë se e ka telefonuar disa herë Policinë po nuk ka mundur të lidhet me ta për t’i shpëtuar agresorit të palestruar!

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.