E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Sindikata e Universiteteve krah studentëve, shpërthen ndaj qeverisë
Lajme

Sindikata e Universiteteve krah studentëve, shpërthen ndaj qeverisë

Zëri i tyre është thirrje për reflektim

Sindikata e Universiteteve ka shprehur solidaritet të plotë me studentët që protestuan në Tiranë, duke dënuar përdorimin e dhunës nga policia dhe duke kërkuar përgjegjësi institucionale për situatën e krijuar para Ministrisë së Arsimit.

Në reagimin e saj, sindikata e konsideron protestën një shprehje legjitime të së drejtës për t’u organizuar dhe për të kundërshtuar problematikat që prekin arsimin e lartë. Sipas saj, kërkesat e studentëve duhet të dëgjohen dhe të trajtohen seriozisht nga institucionet përgjegjëse, në vend që pakënaqësia të përballet me forcë.

Organizata shpreh indinjatën për ndërhyrjen e policisë dhe u bën thirrje autoriteteve të tregojnë vetëpërmbajtje, të respektojnë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut dhe të garantojnë ushtrimin paqësor të së drejtës për protestë.

135 ditë protestë dhe kërkesa ende pa përgjigje

Sindikata e Universiteteve ia atribuon përshkallëzimin e situatës mungesës së reagimit nga qeveria dhe politika ndaj shqetësimeve të qytetarëve. Sipas saj, edhe pas 135 ditësh protestash, kërkesat e studentëve nuk kanë marrë vëmendjen dhe përgjigjen e nevojshme.

Në reagim theksohet se mungesa e dialogut dhe e vullnetit për të gjetur zgjidhje rrezikon të thellojë mosbesimin ndaj institucioneve.

Sindikata nënvizon se studentët zgjodhën të protestojnë para Ministrisë së Arsimit pikërisht sepse e konsiderojnë atë institucionin që duhet të përfaqësojë interesat e tyre dhe të komunitetit akademik.

Një nga detajet e veçanta të reagimit është pretendimi se edhe vetë sindikata ka hasur të njëjtën mungesë përgjigjeje nga institucionet. Sipas saj, një shkresë zyrtare e dërguar në ministri që në mars të këtij viti nuk ka marrë përgjigje.

Për sindikatën, kjo heshtje ndaj personelit akademik dhe ndaj studentëve dëshmon një marrëdhënie të dëmtuar mes institucionit dhe komunitetit të cilit duhet t’i shërbejë.

Thirrje pedagogëve të mos heshtin

Sindikata u bën thirrje pedagogëve, kërkuesve shkencorë, punonjësve të universiteteve dhe gjithë komunitetit akademik që të mbështesin studentët dhe të reagojnë ndaj problematikave të ngritura.

Ajo thekson se liria akademike dhe autonomia universitare nuk janë privilegje, por përgjegjësi për të mbrojtur mendimin kritik, të vërtetën dhe të drejtën e të rinjve për arsim cilësor.

Sipas reagimit, kërkesat për kushte dinjitoze studimi dhe pune, përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe trajtimin e drejtë të problematikave të universiteteve përbëjnë një kauzë të përbashkët për studentët dhe pedagogët.

Qeverisë i kërkohet dialog i menjëhershëm

Sindikata e Universiteteve i kërkon qeverisë dhe të gjithë aktorëve politikë të marrin përgjegjësitë e tyre dhe të nisin një proces real dialogu për shqyrtimin dhe zgjidhjen e kërkesave të studentëve dhe personelit akademik.

Sipas saj, përgjigjet formale, heshtja dhe shtyrja e vendimmarrjes nuk mund të zëvendësojnë përgjegjësinë institucionale dhe politike.

Në përfundim, organizata ngre edhe mundësinë e zgjidhjeve politike për kapërcimin e krizës, nëse konfigurimi aktual nuk arrin t’u japë përgjigje problemeve të ngritura nga studentët, pedagogët dhe qytetarët. Ajo thekson se çdo zgjidhje duhet të mbështetet në parimet demokratike dhe në vullnetin qytetar.

Sindikata e mbyll reagimin duke rikonfirmuar mbështetjen për studentët dhe duke kërkuar që zëri i tyre të dëgjohet, të respektohet dhe të marrë përgjigje konkrete.

Reagimi i plotë:

Sindikata e Universiteteve shpreh solidaritetin e plotë me studentët në protestat e tyre, si një shprehje legjitime e së drejtës kushtetuese për t’u organizuar dhe për të protestuar. Ne e konsiderojmë zërin e studentëve një thirrje për reflektim dhe përgjegjësi institucionale, që meriton të dëgjohet dhe të trajtohet me seriozitet.

Sindikata shpreh indinjatën e saj për përdorimin e dhunës nga forcat e rendit ndaj protestuesve dhe u bën thirrje autoriteteve përgjegjëse për vetëpërmbajtje, respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, si dhe garantimin e ushtrimit paqësor të së drejtës për protestë.

Vlerësojmë se përshkallëzimi i situatës është pasojë e mungesës së reagimit dhe e neglizhimit të kërkesave të qytetarëve nga Qeveria dhe politika në tërësi. Edhe pas një proteste maratonë prej 135 ditësh, kërkesat qytetare dhe ato të studentëve nuk kanë marrë përgjigjen dhe vëmendjen e duhur. Mungesa e dialogut dhe e vullnetit për zgjidhje rrezikon të thellojë më tej mosbesimin ndaj institucioneve.

Nuk është rastësi që studentët zgjodhën të protestojnë pikërisht para Ministrisë së Arsimit. Ata nuk shkuan atje si kundërshtarë të shtetit. Shkuan para institucionit që, sipas misionit të vet, u përket atyre. Kjo Ministri është shtëpia institucionale e çdo studenti, e çdo pedagogu dhe e çdo familjeje që sakrifikon për shkollimin e fëmijëve të saj. Në të njëjtën derë ka trokitur edhe Sindikata e Universiteteve, me shkresë zyrtare që në mars të këtij viti, dhe as ne nuk kemi marrë përgjigje. Heshtja që studentët hasën sot në rrugë është e njëjta heshtje që personeli akademik has prej muajsh në korrespondencën institucionale. Ajo që ndodhi sot para Ministrisë së Arsimit është, mbi të gjitha, simboli i një marrëdhënieje të prishur mes institucionit dhe komunitetit që ai duhet ti shërbejë.

Sindikata vlerson se Universiteti nuk mund të jetë spektator i heshtur kur studentët e tij kërkojnë dinjitet. Liria akademike dhe autonomia universitare nuk janë privilegje, por përgjegjësi: përgjegjësi për të mbrojtur mendimin kritik, të vërtetën dhe të drejtën e çdo të riu për një arsim që e çmon. Prandaj, Sindikata e Universiteteve u bën thirrje të gjithë pedagogëve, kërkuesve shkencorë, punonjësve të universiteteve dhe gjithë komunitetit akademik që të ngrenë zërin dhe të qëndrojnë krah studentëve. Kërkesat për arsim cilësor, për kushte dinjitoze studimi dhe pune, si dhe për një trajtim të drejtë të problemeve të arsimit të lartë, nuk janë çështje të veçuara. Ato janë
kauza jonë e përbashkët.

Sindikata i bën thirrje Qeverisë dhe të gjithë aktorëve politikë që të marrin përgjegjësitë e tyre dhe të angazhohen menjëherë në një proces real dialogu, me qëllim shqyrtimin dhe zgjidhjen e kërkesave të studentëve dhe të personelit akademik. Përgjigjet formale, heshtja apo shtyrja e mëtejshme e zgjidhjeve nuk mund të zëvendësojnë përgjegjësinë institucionale dhe politike.

Nëse konfigurimi aktual politik nuk arrin të marrë përsipër zgjidhjen e problemeve të ngritura nga studentët, pedagogët dhe qytetarët, atëherë duhet të hapet rruga për zgjidhje politike që mundësojnë kapërcimin e krizës, në përputhje me parimet demokratike dhe vullnetin qytetar. Sindikata e Universiteteve rithekson se dialogu, përgjegjësia institucionale dhe zgjidhja konkrete e kërkesave janë e vetmja rrugë për të kapërcyer situatën e krijuar. Ne qëndrojmë në krah të studentëve dhe kërkojmë që zëri i tyre të dëgjohet, të respektohet dhe të marrë përgjigjen që meriton. Solidaritet me studentët! Respekt për të drejtën e protestës! Përgjegjësi institucionale dhe zgjidhje konkrete për arsimin dhe shoqëri.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.