S’ka marrëveshje, anulohet “Finalissima” Argjentinë-Spanjë
Përballja e shumëpritur mes Argjentinës, fituese e Copa América, dhe Spanjës, kampione e UEFA European Championship, është anuluar përfundimisht.
Vendimi është konfirmuar nga institucionet përkatëse të futbollit, pasi nuk u arrit një marrëveshje për një datë apo stadium alternativ. Sfida, e njohur si Finalissima, ishte planifikuar fillimisht të zhvillohej më 27 mars në Doha të Katarit.
Situata e tensionuar në Lindjen e Mesme dhe pasiguria në rajon ndikuan drejtpërdrejt në prishjen e planit fillestar. Për këtë arsye, UEFA dhe CONMEBOL nisën diskutimet për alternativa të tjera, duke propozuar zhvillimin e ndeshjes në disa stadiume në Europë. Një nga opsionet e shqyrtuara ishte edhe Santiago Bernabéu në Madrid.
Megjithatë, përfaqësuesja e Argjentinës nuk e pranoi këtë variant dhe sugjeroi që përballja të shtyhej për pas Kupës së Botës. Ky propozim nuk u konsiderua i realizueshëm për shkak të kalendarit të ngarkuar ndërkombëtar.
Në një përpjekje të fundit, u diskutua mundësia që ndeshja të luhej më 31 mars, por edhe kjo ide u rrëzua, pasi federatat kombëtare duhej të lironin lojtarët për klubet e tyre. Në këto kushte, palët vendosën të anulojnë përfundimisht përballjen që ishte paralajmëruar me shumë interes në botën e futbollit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



