Skandal dhe krizë/ Nis ‘furtuna’ për One Albania, bllokohen miliardat
Magyar bllokon 16 miliardë euro për 4iG
Qeveria e re në Hungari ka vendosur të rishqyrtojë aplikimin për një kredi prej 16 miliardë eurosh nga Komisioni Europian, e destinuar për sektorin e mbrojtjes, mes dyshimeve serioze për rreziqe korrupsioni dhe menaxhim të paqartë të fondeve.
Paketa financiare ishte konceptuar si një instrument mbështetës me interesa të favorshme për shtetet anëtare, ndërsa aplikimi fillestar ishte bërë gjatë qeverisjes së Viktor Orbán. Megjithatë, zhvillimet e fundit kanë ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si do të shpërndaheshin këto fonde dhe përfituesit realë të tyre.
Në qendër të debatit është kompania 4iG, e cila në periudhën e fundit ka marrë nën kontroll një pjesë të konsiderueshme të industrisë hungareze të mbrojtjes përmes proceseve privatizimi që aktualisht janë nën hetim. Sipas raportimeve në mediat vendase, një pjesë e madhe e financimit europian pritej të kanalizohej pikërisht drejt kësaj kompanie.
Vendimi i qeverisë së drejtuar nga Péter Magyar për të pezulluar përkohësisht procedurat e kredisë shihet si një sinjal i qartë për të shmangur përfshirjen në skema që mund të kenë pasoja ligjore dhe financiare në të ardhmen. Dyshimet lidhen ngushtë me marrëdhëniet e 4iG me strukturat e mëparshme të pushtetit, çka e ka vendosur kompaninë nën një vëzhgim të shtuar institucional.
Sipas burimeve mediatike në Budapest, situata mund të përkeqësohet më tej për 4iG, deri në skenarë të mundshëm vështirësish të rënda financiare. Një zhvillim i tillë do të kishte efekt zinxhir edhe mbi aktivitetet ndërkombëtare të grupit.
Ndër to përfshihet edhe One Albania, e cila operon në tregun shqiptar nën pronësinë e 4iG. Çdo goditje financiare ndaj kompanisë mëmë mund të reflektohet drejtpërdrejt në stabilitetin dhe operacionet e saj në rajon.
Në këtë kontekst, i gjithë grupi 4iG po përballet me një perceptim në rënie në tregjet ndërkombëtare, i lidhur jo vetëm me pasiguritë financiare, por edhe me hijen e hetimeve për korrupsion dhe lidhjet e supozuara politike. Kjo situatë pritet të mbetet në fokus në javët dhe muajt në vijim, ndërsa autoritetet hungareze paralajmërojnë thellim të verifikimeve dhe transparencë më të lartë në përdorimin e fondeve publike.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



