Skandali! “Diambe Market” u shet qytetarëve çokollata me insekte
Një rast shqetësues është zbuluar në qytetin e Durrësit, ku rrjeti i supermarketeve “Diambe” është kapur duke tregtuar çokollata me insekte brenda.
Bëhet fjalë për produktin “Talarki Money Euro 100 g”, çokollata që imiton monedhat europiane, por që në përmbajtje ka rezultuar e kontaminuar me krimba dhe insekte.
Pas denoncimeve të konsumatorëve, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) kreu një inspektim në magazinën e “Diambes” në Katund të Ri, Durrës, ku konstatoi shkelje të rënda të standardeve higjieno-sanitare.
“Është konstatuar një sasi çokollate që u denoncua për prani të krimbave. Ky është tregues fizik. Sasia e importuar është 2208 copë, e ardhur nga Polonia. Aktualisht janë bllokuar 94 copë të produktit në rrjetin e marketeve,” deklaroi inspektorja e AKU-së, Polikesen Drazho.
Sipas hetimeve paraprake, kushtet e dobëta të ruajtjes kanë krijuar terren për zhvillimin e insekteve, pasi çokollata përmban sasi të lartë sheqeri dhe kërkon ambiente të thata e pa lagështi.
AKU ka urdhëruar menjëherë tërheqjen nga tregu të të gjitha çokollatave “Talarki Money” dhe ka vendosur një gjobë prej 300 mijë lekësh të reja ndaj supermarketit.
“Të gjithë operatorët ku është shpërndarë produkti janë njoftuar për ta hequr nga raftet. Subjekti është në proces kthimi të produktit në magazinë,” thuhet në njoftimin zyrtar të AKU-së.
Çokollatat e kontaminuara janë importuar nga Polonia nga vetë kompania “Diambe”, e cila në vitin 2024 solli në Shqipëri mbi 2200 copë të këtij produkti.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar nëse çokollatat e prishura janë shitur edhe në qytete të tjera, pasi rrjeti “Diambe” operon në disa qytete të vendit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



