Skandali i AKU! Mbron helmuesit e fëmijëve duke kërcënuar mediat

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) është krijuar si institucion me qëllim mbikëqyrjen e sigurisë ushqimore në vend.

Por, siç po tregon qasja ndaj rastit të fundit në Gramsh dhe jo vetëm, ku ent po shërben për të mbuluar skandale dhe për të mbrojtur një firmë private të lidhur me një deputetet të Partisë Socialiste.

Helmimi dhe fshehja e ngjarjes

Helmimi masiv i fëmijëve ka ndodhur të martën (20 Maj), por ngjarja u mbajt e fshehtë nga institucionet shëndetësore, vendore dhe Policia, të cilat prej rreth një jave nuk kishin nisur hetim për rastin në fjalë.

Ngjarja u mësua mesditën e së shtunës nga një familjar, i cili denoncoi publikisht helmimin e nipit të tij, duke publikuar dhe fletën e analizave, ku mjekja Dafina Jaho konfirmoi praninë e bakterit salmonelë.

Pas shenjave të helmimit, AKU mori analiza nga 72 persona, 53 fëmijë dhe 19 anëtarë të stafit të kopshtit. Pas verifikimeve në Institutin e Shëndetit Publik, rezultatet treguan se 17 fëmijë ishin prekur nga salmonela.

Të hënën, më 26 maj, familjarët e fëmijëve protestuan duke kërkuar siguri për fëmijët e tyre dhe vënë para përgjegjësisë personat që lejuan një situatë të tillë dhe pasiguri ushqimore.

Kompania e gruas së deputetit të PS, furnizuese e vezëve

Nga analizat e kryera nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU), siç rezulton edhe nga një dokument i publikuar në media, ka rezultuar se produkti që shkaktoi helmimin e 17 fëmijëve në kopshtin shtetëror të qytetit të Gramshit ka qenë veza, e cila ka qenë e kontaminuar me salmonelë.

Por, teksa AKU e mbajti emrin e fshehtë të kompanisë, media “Alert.al” raportoi se vezët kanë pasur origjinën nga kompania “Xhenis Sh” sh.p.k. me seli në Shkodër.

Kjo kompani zotërohet në 100% të aksioneve nga Belma Çela, e cila është bashkëshortja e deputetit Agron Çela. Ky i fundit u zgjodh deputeti i Shkodrës në vitin 2021 nën siglën e LSI-së, por para zgjedhjeve lokale të vitit 2023, u “ble” nga Edi Rama, duke kaluar në krah të tij.

Agron Çela u shpërblye nga Edi Rama edhe në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit, pasi i vendosi vajzën Xhenis Çela në listën e sigurtë të PS-së në Shkodër dhe kështu në shtator, babai do t’i lëshojë vendin të bijës në parlament. Agron Çela zotëron disa hotele luksoze në Shkodër dhe Velipojë, ku në media është raportuar kohët e fundit se ai synon edhe Vilën Qeveritare.

Kompania “Xhenis Sh” sh.p.k. zotërohej më parë nga vetë Agron Çela, por në vitin 2013 i ka kaluar të gjitha aksionet në emër të bashkëshortes së tij, Belma Çela.

Të pestë mostrat e vezëve të marra nga AKU, të cilat iu nënshtruan analizave, rezultuan pozitive për prezencën e bakterit Salmonella spp., sipas standardit ndërkombëtar ISO 6579-1:2017.

Kritikat ndaj AKU

Pas raportimeve për praninë e salmonelës në vezë, reagoi kreu i Urdhrit Veterinar, Ervin Resuli, duke e konsideruar këtë rast një kërcënim të drejtpërdrejtë për shëndetin publik. Ai thekson se konsumimi i vezëve të tilla, veçanërisht pa përpunim të duhur termik, mund të shkaktojë sëmundje akute gastrointestinale, me pasoja më serioze për grupet vulnerabël si fëmijët, të moshuarit, gratë shtatzëna dhe personat me imunitet të ulët.

Bazuar në këtë situatë, Resuli rekomandon ndërmarrjen e masave të menjëhershme si: Ndalimin e tregtimit të produktit të kontaminuar; Gjurmimin dhe izolimin e partive të vezëve të prekura; Kryerjen e një kontrolli të plotë sanitar-veterinar në fermën ose subjektin prodhues/shpërndarës; Njoftimin e konsumatorëve dhe sigurimin e asgjësimit të produktit të pasigurt sipas ligjit.

Ai vë në dukje se përgjegjësia për garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të konsumatorit bie mbi Autoritetin Kombëtar të Ushqimit (AKU).

Në reagim përmendet se kompania që furnizon kopshtet e Gramshit me ushqime, përfshirë kopshtin në fjalë, është “Nelsa shpk” dhe ka një histori problematike:

Është dënuar në vitin 2016 për korrupsion me tenderat për ushqimin e burgjeve.

Fillimisht e themeluar nga Nexhmi Balla, kompania i kaloi vajzës së tij, Elsa Kamberi Balla, pas dënimit të tij.

“Nelsa shpk” ka një historik të gjatë të përfshirjes në tenderë publikë në disa bashki dhe institucione shtetërore, duke furnizuar me ushqime çerdhe, kopshte, konvikte, spitale dhe burgje.

Shumë prej këtyre tenderëve janë shënuar me “flamur të kuq” në sistemin e prokurimeve publike, duke sinjalizuar mungesë transparence, konkurrencë të dobët ose dyshime për parregullsi procedurale.

AKU tenton të mbulojë skandalin dhe kërcënon

Zbulimi i këtyre të dhënave duket se nuk i ka shkuar për shtat AKU-së, që ka dalë me një reagim zyrtar që më shumë duket se tenton të hedhë tymnajë mbi situatën sesa të sqarojë të vërtetën.

Në pjesën e parë të reagimit, AKU ‘shfajëson’ si kompaninë që furnizon kopshtin ku u helmuan fëmijët, ashtu edhe firmën prodhuese të vezëve, duke theksuar se në të dyja bizneset nuk janë konstatuara vezë me salmonelë.

Më tej, shton se “mendohet se kontaminimi i vezëve ne Kopshtin Nr.1 Gramsh ka ndodhur në ambientet e Kopshtit Nr.1 Gramsh nga faktorë të tjerë jo të ushqimit (jo produkti vezë)”.

Megjithatë, për ekspertët, deklarata e AKU-së është e dyshimtë dhe sipas tyre, gjasat janë që kopshti të jetë furnizuar nga vezë të kontaminuara më herët.

AKU kërcënon, Kreu i Urdhrit Veterinar: Kriminale fshehja e atyre që rrezikojnë shëndetin e qytetarëve çdo ditë

Në pjesën e dytë të njoftimit, AKU lëshon mes rreshtave një kërcënim për publikimin e informacioneve mbi ngjarjen, që nuk i shkojnë për shtat linjës së tyre zyrtare.

“…në të ardhmen kushdo që do të bëjë deklarata të papërgjegjshme apo të pasakta mund të jetë objekt i një procedimi penal”, thotë AKU.

Pas këtij njoftimi, reagoi sërish, kreu i Urdhrit Veterinar, Ervin Resuli, i cili thekson se krimi është mosndëshkimi dhe fshehja e atyre që rrezikojnë shëndetin e qytetarëve çdo ditë.

“AKU kërcënon me procedim penal ata që i zbulojnë zullumet? Ka të drejtë AKU të flasë për procedime penale, për aq kohë sa asnjë qytetar nuk ka çuar ndonjëherë për ndëshkim penal AKU-në, për dhjetëra skandale me pasoja të rënda për shëndetin publik!

Ndërkohë, unë si qytetar pres që prej muajit mars një përgjigje zyrtare:Cilat janë 8 kompanitë e qumështit, të cilave u ka dalë mostra me aflatoksinë m1 mbi normat e lejuara europiane dhe amerikane? Transparenca nuk është krim. Krimi është mosndëshkimi dhe fshehja e atyre që rrezikojnë shëndetin e qytetarëve çdo ditë”, shkruan ai.

Publikuar nga Publik Media