Skandali i milionave te Ministria e Arsimit, shkarkohet Erzen Tola
Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit, Erzen Tola, është shkarkuar nga detyra këtë të martë, pas një serie rekomandimesh të përsëritura nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Vendimi vjen në vijim të dy raporteve audituese, ku janë evidentuar problematika serioze në ushtrimin e funksionit të tij dhe moszbatim i detyrimeve ligjore.
Tola ishte emëruar në këtë post gjatë periudhës kur Ministria drejtohej nga Ogerta Manastirliu dhe vijoi ta mbante detyrën edhe nën drejtimin e Mirela Kumbaros, pavarësisht sugjerimeve të vazhdueshme të audituesve për largimin e tij nga administrata publike.
Sipas gjetjeve të auditimit, ish-zyrtari i lartë nuk ka ndjekur në kohë detyrat funksionale dhe nuk ka ndërmarrë hapa për nisjen e proceseve gjyqësore me qëllim rikuperimin e fondeve të përfituara në mënyrë të paligjshme nga studentë apo ish-punonjës. Gjithashtu, ai akuzohet për menaxhim joefektiv të skemave të mbështetjes financiare për studentët ekselentë.
Një tjetër shkelje e rëndë lidhet me moszbatimin e vendimeve të Gjykatës së Lartë për kthimin e rreth 7.5 milionë lekëve të përfituara padrejtësisht nga ish-zyrtarë të Ministrisë së Arsimit. Auditimi evidenton gjithashtu parregullsi në administrimin e shpenzimeve të karburantit për vitet 2022 dhe 2023, ku mungesa e dokumentacionit justifikues ka shkaktuar një dëm ekonomik prej rreth 4.7 milionë lekësh.
Të dhënat tregojnë se në vitin 2022 janë konsumuar 6,899 litra naftë dhe 7,950 litra benzinë, ndërsa gjatë vitit 2023 janë përdorur 2,874 litra naftë dhe 7,898 litra benzinë, pa prova të plota dokumentare mbi përdorimin e tyre.
Në përfundim të auditimit, Kontrolli i Lartë i Shtetit rekomandoi masën disiplinore “largim nga shërbimi civil”, një vendim që tashmë është zbatuar. Megjithatë, rasti hap diskutime të reja mbi përgjegjësinë ligjore për shkeljet e konstatuara dhe nëse ndaj ish-zyrtarit do të ketë hetime të mëtejshme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



