E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Skënder Hita kërkon bashkëpunim më të fortë kundër krimit
Lajme

Skënder Hita kërkon bashkëpunim më të fortë kundër krimit

Tirana është bërë mikpritëse e Konferencës së 42-të të Shoqatës së Ish-studentëve Evropianë të Akademisë Kombëtare të FBI-së, FBINAA European Chapter, një aktivitet ndërkombëtar që ka mbledhur në Shqipëri mbi 230 përfaqësues të FBI-së dhe institucioneve ligjzbatuese nga vende të ndryshme të Evropës dhe Shteteve të Bashkuara.

Ceremonia e hapjes u zhvillua gjatë paradites, ndërsa në qendër të diskutimeve janë sfidat që lidhen me krimin e organizuar dhe nevoja për forcimin e bashkëpunimit mes strukturave ligjzbatuese të vendeve të ndryshme.

Në fjalën e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, theksoi se përballja me grupet kriminale që operojnë ndërkombëtarisht kërkon koordinim dhe shkëmbim të vazhdueshëm informacioni mes institucioneve.

Sipas tij, grupet kriminale nuk kufizohen më brenda territorit të një shteti, ndërsa përdorimi i teknologjisë u ka krijuar mundësi të reja për transferimin e parave, lëvizjen e personave dhe organizimin e aktiviteteve kriminale në disa vende njëkohësisht.

“Partneritetet ndërkombëtare nuk janë thjesht një nevojë institucionale, por janë rruga e vetme në luftën moderne kundër krimit të organizuar”, deklaroi Hita.

Kryepolici nënvizoi se shkëmbimi i shpejtë i informacionit, ekspertizës dhe përvojës mes agjencive mund të luajë rol të rëndësishëm në identifikimin e rrjeteve kriminale, parandalimin e veprimtarisë së tyre dhe goditjen e strukturave që shtrihen përtej kufijve kombëtarë.

Hita foli gjithashtu për ndryshimet që, sipas tij, kanë ndodhur brenda Policisë së Shtetit, duke përmendur investimet në teknologji dhe digjitalizimin e shërbimeve, analizën e të dhënave, hetimin kibernetik, strukturat operacionale dhe njësitë që merren me çështjet e terrorizmit.

Në këtë kuadër, ai përmendi edhe operacionet e përbashkëta me agjenci si FBI, DEA, EUROPOL dhe Interpol, duke i konsideruar rezultatet e këtyre bashkëpunimeve si një tregues të rëndësisë së koordinimit ndërkombëtar në luftën kundër kriminalitetit.

“Rrjetet kriminale veprojnë përtej kufijve, përdorin teknologjinë, lëvizin paratë dhe njerëzit nga një shtet në tjetrin dhe përshtaten me shpejtësi ndaj çdo mekanizmi të kontrollit. Prandaj, përgjigjja jonë duhet të jetë po aq globale”, u shpreh Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

Gjatë fjalës së tij, Hita kujtoi edhe punonjësit e Policisë së Shtetit që kanë humbur jetën gjatë ushtrimit të detyrës. Sipas tij, 232 efektivë kanë sakrifikuar jetën në krye të detyrës, ndërsa kujtimi i tyre duhet të shërbejë si një angazhim për vijimin e luftës ndaj krimit.

Në përfundim, kreu i Policisë së Shtetit deklaroi se bashkëpunimi me partnerët kombëtarë dhe ndërkombëtarë do të vijojë të jetë një prej drejtimeve të rëndësishme të punës së institucionit.

Ai veçoi shkëmbimin e informacionit, koordinimin ndërinstitucional dhe reagimin e shpejtë si elemente të rëndësishme për përballimin e krimit të organizuar dhe terrorizmit.

“Ky është angazhimi ynë: më shumë besim, më shumë shkëmbim informacioni, më shumë koordinim dhe veprim më i shpejtë përballë krimit”, përfundoi Hita.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.