Skënder Hita me “fshesë korenti”, firmos rreth 40 ndryshime
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka firmosur një valë të gjerë ndryshimesh në strukturat drejtuese të policisë në vend, duke prekur disa nga pozicionet kyçe në qarqe të ndryshme.
Sipas informacioneve, Andi Banushi është emëruar zëvendësdrejtor në Policinë e Elbasanit, duke zëvendësuar Krenar Guçen, i cili është transferuar në detyrën e shefit të rendit në Përmet.
Ndryshime ka pasur edhe në drejtimin e komisariateve, ku Alfred Cenaj është vendosur në krye të Komisariatit nr. 2, ndërsa Gerald Toska është emëruar drejtues i Komisariatit të Fierit.
Lëvizje janë bërë edhe në strukturat e hetimit të krimit. Dritan Muça është caktuar zëvendësdrejtor për hetimin e krimit në Vlorë, ndërsa Dritan Malaj do të mbajë të njëjtin funksion në Berat.
Një tjetër zhvillim lidhet me oficerin e karrierës Islor Islami, i cili vetëm një ditë më parë dha dorëheqjen nga posti i drejtorit të Policisë së Lezhës. Ai është emëruar tashmë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në detyrën e shefit të sektorit për mbështetjen hetimore të krimit të organizuar.
Po ashtu, Erdit Rreçeku është emëruar shef komisariati në Peqin. Vendimi për këtë emërim ishte marrë disa ditë më parë, pas shkarkimit të zinxhirit komandues të komisariatit të këtij qyteti nga drejtori Hita.
Vetëm gjatë ditës së mërkurë, Skënder Hita ka firmosur rreth 40 ndryshime në radhët e Policisë së Shtetit, në një operacion të gjerë ristrukturimi që prek disa nivele drejtuese.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



