Sonte sfida Shqipëri-Izrael, ja rrugët ku do të kufizohet qarkullimi
Policia e Shtetit ka hartuar një plan të detajuar masash për garantimin e rendit dhe sigurisë publike në kuadër të ndeshjes miqësore të futbollit mes Shqipërisë dhe Izraelit, e cila do të zhvillohet më 3 qershor 2026, në orën 20:00, në stadiumin “Air Albania” në Tiranë.
Ky plan përfshin angazhimin e të gjitha strukturave policore, të mbështetura në përvojën e mëparshme në menaxhimin e eventeve ndërkombëtare, me qëllim mbarëvajtjen e aktivitetit dhe shmangien e çdo incidenti të mundshëm.
Në bashkëpunim me Policinë Bashkiake të Tiranës, autoritetet do të aplikojnë kufizime të përkohshme të qarkullimit rrugor në zonat pranë stadiumit, për të lehtësuar lëvizjen dhe për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe tifozëve.
Rrugët që do të bllokohen nga ora 16:00 deri në përfundim të ndeshjes janë:
- Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, segmenti nga zona e ish-hotel Dajtit;
- Rruga “Papa Gjon Pali II”, pranë RTSH-së;
- Rruga “Dervish Hima” dhe “Asim Zeneli”, në afërsi të ambasadës së SHBA-së;
- Rruga “Themistokli Gërmenji”, në hyrje;
- Rruga “Ismail Qemali”, te kryqëzimi i RTSH-së;
- Rruga “Lekë Dukagjini”, që do të shërbejë si korridor për automjetet e autorizuara nga FSHF;
- Rruga “Abdyl Frashëri”, pranë Librit Universitar;
- Sheshi “Willson”, ku do të ketë devijim të lëvizjes drejt “Sami Frashërit” në fund të ndeshjes.
Ndërkohë, segmentet kryesore si Rruga e Elbasanit, Unaza dhe bulevardi “Bajram Curri” do të mbeten të hapura për qarkullimin e automjeteve.
Kontrolle të rrepta për tifozët
Policia do të kryejë kontrolle të detajuara në hyrjet e stadiumit për të parandaluar futjen e sendeve të rrezikshme. Ndalohet kategorikisht hyrja me:
- materiale me përmbajtje raciste;
- mjete piroteknike si fishekzjarrë dhe flakadanë;
- objekte metalike dhe sende të forta;
- çadra, çakmakë, karikues celularësh dhe produkte kozmetike.
Autoritetet u bëjnë thirrje tifozëve që të paraqiten në stadium duke filluar nga ora 18:00, për të shmangur vonesat dhe rrezikun e mosfutjes për shkak të fluksit të lartë pranë fillimit të ndeshjes.
Për garantimin e rendit publik janë angazhuar qindra efektivë policie, të cilët do të jenë në terren për të asistuar qytetarët dhe për të siguruar zhvillimin normal të këtij eventi sportiv me rëndësi ndërkombëtare.
Qëllimi kryesor i këtyre masave është zhvillimi pa incidente i ndeshjes, duke ruajtur imazhin e Shqipërisë dhe sigurinë e të gjithë pjesëmarrësve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



