Sot 28-vjetori i sulmit të Serbisë mbi familjen Jashari në Prekaz
Dita që u kthye në simbol të pavdekshëm të lirisë
Sot shënohet 28-vjetori i sulmit të dytë të forcave serbe ndaj familjes Jashari në Prekaz, një nga ngjarjet më të rënda dhe më domethënëse që parapriu shpërthimin e luftës çlirimtare në Kosovë.
Në orët e para të mëngjesit të 22 janarit 1998, forca të shumta të policisë serbe u pozicionuan pranë Fabrikës së Municionit të Gjuetisë, rreth 500 metra larg shtëpive të lagjes Jashari. Prej aty, ato u drejtuan drejt Kullës së Jasharëve, duke e sulmuar me armë të rënda dhe të lehta, në një operacion të mirëorganizuar dhe të dhunshëm.
Meqë atë natë Adem Jashari nuk ndodhej në shtëpi, përballë sulmit qëndruan Shabani dhe Hamza Jashari, së bashku me nipa e mbesa, të cilët rezistuan me vendosmëri ndaj forcave serbe, duke dëshmuar guxim dhe sakrificë të jashtëzakonshme.
Ky sulm ishte paralajmërimi i një tragjedie edhe më të madhe. Sulmi i tretë dhe përfundimtar ndaj familjes Jashari, i ndërmarrë më 5 mars 1998, do të zgjaste tri ditë dhe do të përfundonte me rënien heroike të 59 anëtarëve të familjes Jashari, përfshirë edhe komandantin legjendar të UÇK-së, Adem Jasharin.
Prekazi u shndërrua në simbol të qëndresës, sakrificës dhe rrugës drejt lirisë, ndërsa epopeja e familjes Jashari mbetet themeli mbi të cilin u ndërtua lufta çlirimtare e popullit të Kosovës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



