Sot opozita zbret në shesh, marrshimi i mosbindjes civile
1 mijë forca policore për sigurinë
Protesta e sotme e thirrur nga opozita do të jetë një marshim i mosbindjes civile, pa fjalime, sipas paralajmërimit të Kryesisë së Partisë Demokratike (PD). Ndërkohë, Policia e Shtetit ka marrë masa shtesë duke bllokuar disa akse të rëndësishme në Tiranë për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë protestës. Mbi 1 mijë forca policore, përfshirë forcat “Shqiponja” dhe FNSH, janë angazhuar për të kontrolluar situatën.
Kryetari i PD-së, Sali Berisha, i cili është nën arrest, ka deklaruar përmes një videomesazhi se kjo protestë shënon fillimin e një mosbindjeje civile të pandalshme, deri në arritjen e kërkesës për një qeveri teknike. “Na u përgjigjën me vjedhje të flamurit të partisë, me arrestime politike, dhe sot opozita ka marrë vendimin për të filluar mosbindjen civile,” tha Berisha.
Kreu i grupit të PD-së, Gazment Bardhi, ka bërë gjithashtu thirrje që qytetarët të marrin pjesë në protestë për të kundërshtuar padrejtësitë e qeverisë Rama, duke theksuar se shteti ligjor po shkatërrohet dhe po instalohet një “shtet personal” i kryeministrit.
Ndërsa opozita ka paralajmëruar marshimin, Policia e Shtetit ka shpallur një listë të gjatë rrugësh që do të jenë të bllokuara gjatë protestës. Nga ora 18:00, qarkullimi i automjeteve do të jetë i kufizuar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe disa akse të tjera kyçe në kryeqytet. Policia ka kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve për të shmangur lëvizjen në këto rrugë dhe ka bërë thirrje për distancim nga aktet e dhunës gjatë protestës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



