SPAK “fundos” kryebashkiaken e Rroskovecit, kërkon burg për Majlinda Bufin
Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pretencën përfundimtare ndaj kryetares së Bashkisë së Rroskovec, duke kërkuar dënimin e saj me burg për shkelje të ligjit zgjedhor.
Sipas kërkesës së SPAK, ndaj kryebashkiakes Majlinda Bufi është kërkuar një dënim me 1 vit e 6 muaj burg për veprën penale “përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”.
Për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar, masa e dënimit është reduktuar në 1 vit burg.
Prokuroria e Posaçme ka kërkuar gjithashtu që ekzekutimi i dënimit të pezullohet, duke propozuar që Bufi të qëndrojë në shërbim prove për një periudhë 2-vjeçare. Nëse gjykata pranon këtë kërkesë, kryebashkiakja nuk do të duhet të vuajë menjëherë dënimin me burg.
Çështja lidhet me dyshimet se gjatë periudhës zgjedhore janë përdorur burime dhe funksione publike në favor të aktivitetit politik, një praktikë që sipas organit të akuzës përbën shkelje të ligjit dhe barazisë në garën elektorale.
Vendimi përfundimtar pritet të merret nga gjykata, e cila do të shqyrtojë kërkesën e SPAK dhe provat e paraqitura në proces.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



