E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Majlinda Bufi me tre dosje që flenë në SPAK
Flash

Majlinda Bufi me tre dosje që flenë në SPAK

Në Shqipërinë ku pushteti lokal shpesh trajtohet si pronë personale, historia e kryebashkiakes së Roskovecit Majlinda Bufi është një simptomë e saktë e kapjes së shtetit në versionin e tij më të vogël, por më të rrezikshëm: aty ku qytetari bie përballë një bashkie që e konsideron tokën dhe të drejtën e tij thjesht si një pengesë në planin e vet.

Sot mësohet se SPAK ka në duar një tjetër dosje për Bufi: proces-verbali nr. 207, datë 22 gusht 2023, mbi kallëzimin e qytetarit Mariglen Hazizi. Ky i fundit pretendon se kryebashkiakja ka falsifikuar dokumente dhe ka shpërdoruar detyrën duke futur në planin e bashkisë shpronësimin e biznesit dhe shtëpisë së tij, ndonëse të dyja të mbrojtura me certifikata pronësie. Hazizi flet për gjashtë familje që punojnë prej vitesh në biznesin e tij – një ekosistem i vogël ekonomik, që rrezikon të shkatërrohet me një firmë në zyrë.

Kjo nuk është dosja e parë. SPAK heton edhe dy kallëzime të tjera për shpërdorim detyre dhe intimidim të votuesve, të publikuara fillimisht nga emisioni “Piranjat”:

– Në njërin rast Bufi dyshohet se ka ushtruar presion mbi zgjedhësit për zgjedhjet e 14 majit 2023.

– Në tjetrin, ajo është kapur duke kërcënuar një qytetar që të mos votojë për opozitën, me argumentin se bashkia i ka rikonstruktuar shtëpinë dhe “tani është borxhli”.

Pra kemi të bëjmë me një model pushteti që nga njëra anë përdor projektet publike si instrument për të goditur pronën private dhe nga ana tjetër përdor shërbimet sociale si levë për të frenuar votën e lirë.

Por nëse sjellja e një zyrtareje mund të tronditë, ajo që godet më fort është heshtja e drejtësisë. Majlinda Bufi është parë të paktën pesë herë në ambientet e SPAK-ut, ka dhënë dëshmi, por deri sot nuk ka një qëndrim zyrtar, nuk ka një komunikim akuze. Dosjet ndodhen në duart e tre prokurorëve të ndryshëm, por koha kalon dhe shoqëria pret.

Kjo vonesë është një mesazh i rrezikshëm: se edhe kur provat janë publike dhe presioni qytetar është i lartë, drejtësia mund të mbetet pezull, duke u kthyer në mburojë për të fortët dhe jo në garanci për qytetarin.

Publik.al e thotë hapur: nëse SPAK nuk vepron shpejt dhe në mënyrë transparente, çdo fjalë për “reformë në drejtësi” mbetet thjesht retorikë. Rasti Bufi nuk është thjesht një histori lokale; është një provë madhore nëse shteti shqiptar ka vendosur vërtet të mbrojë pronën, votën dhe lirinë e qytetarëve apo të mbyllë sytë para abuzuesve të pushtetit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.