E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
SPAK në alarm: Operacionet dekonspirohen  nga policia
Lajme

SPAK në alarm: Operacionet dekonspirohen nga policia

Mbi 20 të shpallur në kërkim ndërkombëtar të lirë

Nga më shumë se 20 persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar për krime të rënda si trafik droge, pastrim parash dhe pjesëmarrje në grupe të strukturuara kriminale, asnjë nuk është arrestuar deri më sot nga autoritetet shqiptare.

Përkundër deklaratave për bashkëpunim ndërkombëtar dhe rezultate të suksesshme në luftën kundër krimit të organizuar, hetimet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) po përballen me një problem alarmant: rrjedhjen e informacionit dhe dekonspirimin e operacioneve.

Altin Dumani, kreu i SPAK, ka konfirmuar se janë hapur procedime hetimore për raste ku dyshohet se operacionet janë dekonspiruar para se të finalizoheshin arrestimet. “Deri më tani, hetimet janë në fazë paraprake dhe nuk janë bërë publike operacionet specifike që mund të jenë dekonspiruar. Në rast finalizimi, publiku do të njoftohet zyrtarisht”, deklaroi Dumani.

Por ndërkohë që hetimet vazhdojnë në fshehtësi, edhe në rastet kur operacionet cilësohen si “të suksesshme”, dhjetëra emra kyç të botës së krimit mbeten të lirë.

Më 20 maj 2025, gjatë operacionit ndërkombëtar “URA”, të zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet italiane, u lëshuan 52 masa sigurie “arrest me burg”. Por vetëm 40 u ekzekutuan. 12 persona, përfshirë figura të rëndësishme të krimit, janë ende në kërkim. Kjo organizatë kriminale, me qendër në Durrës dhe lidhje në Itali, Gjermani dhe Amerikën Latine, dyshohet për trafik droge, pastrim parash, korrupsion dhe vrasje me pagesë.

Edhe në një tjetër aksion antidrogë mes Shqipërisë dhe Finlandës, u arrestuan 9 persona, ndërsa 2 të tjerë, ndonëse të identifikuar, nuk u kapën nga autoritetet shqiptare. Gjatë operacionit, u sekuestruan rreth 300 kg drogë dhe u vunë në pranga gjithsej 55 persona.

Pavarësisht listave të gjatë të të kërkuarve, emra të njohur të botës së krimit si:

  • Abedin Mama (alias Dine Çami)
  • Agron Mehja
  • Elvin Merlika
  • Ervis Doçi
  • Ervis Martinaj
  • Florenc Çapja
  • Suel (Marjus Lulaj) Çela
  • Talo Çela

…vazhdojnë të jenë të lirë dhe të paprekshëm.

Për disa prej tyre janë hapur procedura ekstradimi në shtete të ndryshme të Evropës dhe Azisë, por pa një afat të përcaktuar për rikthimin në Shqipëri. Kjo situatë ka krijuar një vakuum të rrezikshëm në zbatimin e vendimeve të drejtësisë, duke minuar besimin e publikut te institucionet ligjzbatuese.

Statistikat zyrtare e nxjerrin në pah paradoksin. Në vitin 2024 janë caktuar 236 masa sigurie “arrest me burg”, nga të cilat 195 kanë qenë për krime të lidhura me krimin e organizuar. Por, ndërkohë, referimet nga Policia e Shtetit në drejtim të SPAK janë ulur me 53.8% krahasuar me një vit më parë – një shifër që ngre pyetje serioze për përkushtimin e policisë në luftën kundër krimit.

Në këtë realitet ku arrestimet nuk ndodhin, rrjedhja e informacionit nuk ndalet, dhe emrat e mëdhenj të krimit nuk preken, mbetet për t’u parë nëse SPAK do të mund të japë ndonjëherë përgjigje për pyetjen që gjithnjë e më shumë qytetarë e shtrojnë: “Për kë punon drejtësia?”

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.