SPAK nis hetimet për kryebashkiakun e Rrogozhinës, Edison Memolla. Po verifikohen edhe pasuritë

SPAK çel një tjetër çështje penale ndaj kryebashkiakut socialist të Rrogozhinës, Edison Memolla. Krahas akuzës zyrtare për korrupsion në zgjedhje, i zgjedhuri vendor po hetohet për korrupsion me fondet e rindërtimit, pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit 2019.

Çështja penale ka nisur pas një kallëzimi të Partisë Demokratike, e cila pretendon se Memolla ka abuzuar me dëmshpërblimet. Nga hetimet e prokurorisë së posacme, janë ngritur dyshime se Memolla ka dëmshpërblyer të afërm të tij në vlera të konsiderueshme, si dhe ka dhënë dëmshpërblime dy herë për të njëjtën banesë të dëmtuar nga tërmeti.

Për momentin prokurorët e SPAK janë duke sekuestruar dokumentat dhe kanë nisur marrjen në pyetjeve të personave që mund të japin informacion në lidhje me këtë çështje.

Sipas ligjit, për zyrtarët e dyshuar për korrupsion zhvillohet edhe hetim pasuror, ndaj edhe pasuritë e Memollës, janë duke kaluar në sitën e prokurorëve të posaçëm.

Këta të fundit janë duke hetuar edhe rreth aktiviteti të një të afërmi të kryebashkiakut, i cili dyshohet të jetë përfshirë në krim të organizuar në Itali dhe që dyshohet se ka pastruar para në Shqipëri. Aktualisht, Edison Memolla është duke u përballur me Gjykatën e Posaçme me akuzat për korrupsion në zgjidhje. Memolla ndërhynte pranë OSHEE që të mos u ndërpritej energjia elektrike debitorëve, me qëllim që ata ta votonin në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit 2022 ku ai kandidonte nën siglën e socialistëve, ku edhe rezultoi fitues. Të pandehur për korrupsion bashkë me kryebashkiakun janë edhe 3 persona të tjerë.

Publikuar nga Publik Media