SPAK nxori “qelibar” Jonaid Myzyrin, ‘gjigandi’ i KPP mund të rikthehet drejtor
Dy vite pas nisjes së hetimeve për korrupsion, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar zyrtarisht në Gjykatën e Posaçme pushimin e procedimit penal ndaj Jonaid Myzyri. Ky zhvillim ka rikthyer në vëmendje të ardhmen e tij në krye të institucionit, ndërsa në qarqet politike po flitet gjithnjë e më shumë për një rikandidim të mundshëm.
Sipas burimeve për mediat pranë procesit, emri i Myzyrit konsiderohet sërish ndër më të favorizuarit për të marrë drejtimin e Komisionit të Prokurimeve Publike, të cilin ai e ka drejtuar më parë për një mandat pesëvjeçar. Aktualisht, ai shihet si një nga kandidatët më të mbështetur nga mazhoranca për këtë post.
Myzyri u vendos nën akuzë për veprën penale “shkelje e barazisë në tendera dhe ankande publike”, në një çështje që përfshinte edhe shtatë zyrtarë të tjerë. Hetimet e SPAK lidheshin me një procedurë prokurimi të zhvilluar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar në shtator të vitit 2020, me një fond limit prej rreth 219.8 milionë lekësh pa TVSH.
Bëhej fjalë për tenderin e mirëmbajtjes së segmentit rrugor Rrëshen–Shpal–Qafë Bene–Hadroj dhe Shpal–Ura e Repsit. Sipas dosjes hetimore, gjatë shqyrtimit të ankesave për këtë procedurë, KPP dyshohej se kishte favorizuar një bashkim operatorësh ekonomikë, të cilët rezultonin të kishin paraqitur dokumente të falsifikuara.
Prokuroria kishte ngritur dyshime se parregullsitë e konstatuara nga ARRSH nuk ishin marrë në konsideratë nga Komisioni i Prokurimeve Publike, duke krijuar një avantazh të padrejtë në procesin e tenderimit.
Në këtë çështje u përfshinë gjithsej dhjetë persona, ku përveç Myzyrit dhe shtatë zyrtarëve të tjerë të marrë të pandehur, tre individë të tjerë mbetën nën hetim për falsifikim dokumentesh.
Jonaid Myzyri mori drejtimin e KPP-së në vitin 2020. Ky institucion përbëhet nga pesë anëtarë, përfshirë kryetarin dhe nënkryetarin, të cilët emërohen nga Kuvendi me propozim të Këshillit të Ministrave për një mandat pesëvjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



