Sspektakël dhe emra surprizë, “Ferma VIP” ndez rrjetin
Moderatorja e njohur Arbana Osmani duket se ka dhënë një sinjal të fortë se do të jetë në drejtimin e spektaklit të ri “Ferma VIP”. Së fundmi ajo ka publikuar në rrjetet sociale një foto nga sheshxhirimi, ku shfaqet pranë partnerit të saj, regjisorin Eduart Grishaj, i cili më parë ka qenë edhe regjisor i formatit Big Brother VIP Albania.
Në imazhin e publikuar dallohet një ambient në natyrë që përputhet me konceptin e reality show-t rural. Megjithatë, ajo që ka tërhequr më shumë vëmendjen e ndjekësve është dizajni i derës dhe i skenografisë, një element që shumëkush e ka lidhur menjëherë me formatin e ri televiziv Ferma VIP.
Ndërkohë, në rrjetet sociale dhe mediat rozë kanë nisur të qarkullojnë edhe emrat e parë që mund të bëhen pjesë e këtij edicioni. Një nga më të përfolurit është reperi Fero, për të cilin thuhet se ka zhvilluar një takim me Arbanën rreth dhjetë ditë më parë në një hotel në qendër të Prishtinës. Spektakli pritet të nisë më 20 mars, menjëherë pas përfundimit të muajit të shenjtë të Ramazanit.
Një tjetër emër që mund të jetë pjesë e reality show-t është ish-banorja e BBVA-së Ermiona Lekbello. Sipas raportimeve mediatike, ajo mund të lërë jetën luksoze në Beverly Hills për t’iu bashkuar sfidave të fermës. Edhe pse marrëveshja ende nuk është konfirmuar zyrtarisht, thuhet se kushtet për pjesëmarrjen e saj janë drejt finalizimit.
Në listën e emrave të përfolur për këtë sezon përmenden gjithashtu këngëtaret Jonida Maliqi dhe Soni Malaj, poetja dhe shkrimtarja Mimoza Ahmeti, si dhe aktori Romir Zalla.
Nga bota e humorit, një tjetër emër që pritet t’i bashkohet fermës është aktori Akil Varfi, i njohur për pjesëmarrjen e tij në spektaklin e humorit Portokalli. Sipas raportimeve, ai u ka bërë të ditur kolegëve se do të largohet nga emisioni për shkak të angazhimit në sezonin e tretë të “Ferma VIP”. Ky vendim ka surprizuar fansat, pasi ai ishte një nga figurat më të spikatura të trupës së humorit.
Ndërkohë, në rrjet po qarkullon edhe një tjetër emër i njohur për publikun: Einxhel Shkira. Ish-finalistja e “Big Brother VIP Albania” përflitet se mund të shfaqet këtë herë në rolin e opinionistes në “Ferma VIP”. Spekulimet janë shtuar edhe më shumë pas publikimit të një promoje ku ajo shfaqet së bashku me partnerin e saj, DJ DJ Dagz.
Me emrat e parë që po qarkullojnë në media, pritshmëritë për sezonin e ri të “Ferma VIP” janë rritur ndjeshëm, ndërsa publiku pret të zbulojë se cilët personazhe do të bëhen zyrtarisht pjesë e këtij reality show në muajt në vijim.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



