Studentët rikthehen në protestë kombëtare, në orën 12:00; para Ministrisë së Arsimit edhe pedagogët
Studentët do të zhvillojnë këtë të shtunë protestën e radhës kombëtare kundër qeverisë, pas tre javësh tubimesh dhe reagimesh që kanë përfshirë kryeqytetin. Me sloganin “Pa dorëheqje nuk ndalemi”, të rinjtë kanë njoftuar se do të mblidhen në orën 12:00 përpara Ministrisë së Arsimit, duke kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama.
Kësaj here, protestës pritet t’i bashkohen edhe pedagogët, të cilët prej disa ditësh kanë bojkotuar procesin mësimor në shenjë solidariteti me studentët. Në tubim pritet të jenë të pranishëm edhe përfaqësues të opozitës, të cilët kanë shprehur mbështetjen për lëvizjen studentore.
Përtej kundërshtimit ndaj qeverisë, studentët kanë zgjeruar kërkesat e tyre, duke kërkuar jo vetëm dorëheqjen e kryeministrit, por edhe largimin e klasës aktuale politike dhe një ndryshim të drejtimit të vendit.
Ndërsa kryeministri ka përsëritur ftesën për dialog, studentët vijojnë të këmbëngulin se nuk do të tërhiqen nga protestat pa plotësimin e kërkesave të tyre. Tubimi i sotëm pritet të jetë një tjetër test për vijimësinë dhe përmasat e lëvizjes studentore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



