Tabaku kërkon hetim më të thellë për inceneratorët: Ndiqni paratë!
“Nuk mund të anashkalohet roli i kryeministrit”
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka kërkuar që hetimet për aferën e inceneratorëve të zgjerohen dhe të zbardhin të gjithë zinxhirin e vendimmarrjes, firmave dhe lëvizjes së parave.
Në një reagim të gjatë, Tabaku rikthen në vëmendje denoncimet e saj që prej vitit 2018 dhe thotë se hetimet, së bashku me punën e Komisionit Hetimor Parlamentar, kanë nxjerrë në pah një skemë që, sipas saj, përfshinte abuzime, kontrata të dyshimta dhe vendimmarrje të shtrirë në disa nivele të administratës publike.
Sipas deputetes së PD, Komisioni Hetimor e përllogariti vlerën e skemës në më shumë se 430 milionë euro. Ajo pretendon se përmes ligjeve, kontratave dhe vendimeve administrative janë krijuar përfitime private, ndërsa përgjegjësia, sipas saj, nuk duhet të ndalet vetëm te personat që aktualisht janë përballur me drejtësinë.
Tabaku e cilëson aferën e inceneratorëve si një çështje që nuk mund të trajtohet në mënyrë të shkëputur për secilin impiant.
“Skema e inceneratorëve nuk mund të copëzohet në tri apo më shumë histori të palidhura”, shprehet ajo, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si janë marrë vendimet për inceneratorët e Elbasanit, Fierit dhe Tiranës.
Ajo përmend, ndër të tjera, faktin që një seri prej 17 vendimesh për inceneratorin e Elbasanit, sipas saj, janë marrë brenda një dite. Po ashtu, Tabaku ngre pikëpyetje mbi mënyrën e përcaktimit të pikëzimeve dhe bonuseve qeveritare për projekte të tjera, si dhe mbi faturën e pretenduar prej më shumë se 300 milionë eurosh për Tiranën.
Tabaku: Hetimi duhet të shkojë më tej
Deputetja e PD vlerëson si të rëndësishëm faktin që SPAK e ka dërguar për gjykim dosjen e inceneratorit të Tiranës, përfshirë edhe akuza për grup të strukturuar kriminal.
Megjithatë, sipas saj, ky zhvillim nuk duhet të konsiderohet fundi i hetimit.
Tabaku argumenton se hetimi duhet të ndjekë të gjithë zinxhirin e vendimmarrjes dhe të përcaktojë se si janë marrë vendimet, kush i ka firmosur dhe ku kanë përfunduar paratë.
Ajo ngre gjithashtu pikëpyetje mbi faktin që Erion Veliaj nuk është mes të pandehurve të dërguar për gjykim në dosjen e inceneratorit të Tiranës.
“Nuk mund të anashkalohet përgjegjësia politike dhe institucionale e drejtuesit të Bashkisë së Tiranës për një kontratë me këto përmasa”, shprehet Tabaku, duke shtuar se duhet shqyrtuar edhe roli i kryeministrit në mekanizmin që, sipas saj, përfshiu ministri, bashki dhe Këshillin e Ministrave.
“Mbi 430 milionë euro”
Duke iu referuar punës së Komisionit Hetimor, Tabaku thotë se përmasat e aferës ishin shumë më të mëdha nga sa dukej në fazat e para të denoncimeve.
Sipas saj, Komisioni Hetimor identifikoi një zinxhir vendimmarrjeje që përfshinte institucione të ndryshme, ndërsa në përfundim të punës u depozituan 15 kallëzime penale, përveç tre kallëzimeve të paraqitura përpara nisjes së hetimit parlamentar.
Tabaku pretendon se provat e administruara nga Komisioni tregojnë për një mënyrë funksionimi ku ligjet, kontratat dhe ndryshimet ligjore, sipas saj, kanë krijuar avantazhe për subjekte private.
Ajo kërkon që drejtësia të japë një panoramë të plotë të mënyrës se si janë krijuar kontratat, si janë marrë vendimet dhe si kanë lëvizur fondet.
“Ndiqni paratë, firmat dhe përgjegjësitë”
Në përfundim të reagimit, Tabaku kërkon që hetimi të mos kufizohet te individët tashmë të përfshirë në proceset gjyqësore, por të shtrihet në të gjithë hallkat e mekanizmit.
“Hetimi duhet të ndjekë paratë, firmat dhe përgjegjësitë — deri në fund dhe pa përjashtime”, thekson ajo.
Sipas deputetes demokrate, përgjigjet duhet të tregojnë se si një grup prej tre personash, të cilët ajo i përshkruan si pa kapital, përvojë apo histori në sektor, arritën të përfshiheshin në kontrata me vlerë të lartë dhe të vinin në lëvizje institucione të shumta shtetërore.
Tabaku e quan aferën e inceneratorëve “testin e lakmusit” për drejtësinë dhe për mënyrën se si funksionon pushteti në Shqipëri.
Reagimi i plotë:
INCENERATORËT, TESTI I LAKMUSIT PËR DREJTËSINË
Në shkurt të vitit 2018, kur nga foltorja e Kuvendit thirra në interpelancë ministrin e Energjisë, nuk e imagjinoja se pas aferës së inceneratorëve të Elbasanit dhe Fierit fshihej një gropë shumë më e madhe: abuzime, manipulime, kontrata korruptive dhe një skemë që do të shtrihej deri tek inceneratori i Tiranës.
Një zinxhir vendimmarrjeje që kalonte nga kryetarët e bashkive dhe Ministria e Mjedisit, tek Këshilli i Ministrave dhe kryeministri Rama.
Asokohe ishte e vështirë edhe për mua të kuptoja përmasat e plota të një skeme që, sipas përllogaritjeve të Komisionit Hetimor, kapte mbi 430 milionë euro. Një skemë që vuri në lëvizje një qeveri të tërë dhe nxori në punë, edhe ditëve të diel, funksionarë publikë për t’u dhënë, në dukje, vetëm tre personave tri kontrata, përfitime dhe monopole të tjera.
Milionat e atëhershme sot, me shumë gjasë, janë bërë miliarda.
Komisioni Hetimor për inceneratorët ishte çelësi për të kuptuar jo vetëm përmasat e abuzimit, por edhe mënyrën se si qeveria socialiste kishte zgjedhur ta administronte shtetin: ligje me porosi, kontrata të shkruara në kompjuterët e përfituesve dhe ndryshime ligjore që prodhonin përfitime private, me firmat dhe miratimin e zyrtarëve të lartë.
Gjithçka u ekspozua në orë të tëra dëshmish, pyetjesh dhe përgjigjesh, të cilat zbuluan mënyrën se si ishte ngritur dhe funksiononte sistemi.
Për mua, afera e inceneratorëve mbetet testi i lakmusit jo vetëm për drejtësinë, por edhe për mënyrën se si funksionon pushteti në Shqipëri.
Përpara nisjes së Komisionit Hetimor ishin depozituar tri kallëzime penale. Në përfundim të punës së tij u depozituan edhe 15 kallëzime të tjera. Kushdo që ka parë një pjesë të konsiderueshme të provave mund të kuptojë se hetimi duhej të kishte shkuar më shpejt, më thellë dhe më lart.
Fakti që SPAK e ka dërguar dosjen e inceneratorit të Tiranës për gjykim edhe me akuza për grup të strukturuar kriminal është i rëndësishëm. Por kjo nuk mund të jetë fundi i çështjes.
Skema e inceneratorëve nuk mund të copëzohet në tri apo më shumë histori të palidhura. Është e vështirë të besohet se një seri prej 17 vendimesh mund të merrej brenda një dite për inceneratorin e Elbasanit; se pikëzimet dhe bonuset qeveritare mund të sajoheshin për një tjetër; apo se Tiranës mund t’i ngarkohej një faturë mbi 300 milionë euro pa vendim të Këshillit Bashkiak, duke u dhënë të njëjtëve persona edhe monopolin de facto të dherave.
Po aq e pashpjegueshme mbetet që Erion Veliaj nuk figuron mes të pandehurve të dërguar për gjykim në dosjen e inceneratorit të Tiranës.
Nuk mund të anashkalohet përgjegjësia politike dhe institucionale e drejtuesit të Bashkisë së Tiranës për një kontratë me këto përmasa. Ashtu siç nuk mund të anashkalohet roli i kryeministrit në një mekanizëm që vuri në lëvizje ministri, bashki dhe vetë Këshillin e Ministrave.
Nuk është bindëse që miliona euro përfunduan në duart e vetëm tre personave, të cilët erdhën pa kapital, pa përvojë dhe pa histori në këtë sektor, pa pasur lidhje dhe pa korruptuar zyrtarë të qeverisë.
Prandaj afera e inceneratorëve mbetet testi i lakmusit për drejtësinë.
Drejtësia duhet të na japë panoramën e plotë të rrugës së parave, firmave dhe vendimeve. Duhet të shpjegojë se si tre persona pothuajse të panjohur arritën, nga kompjuterët e tyre personalë, të vinin në lëvizje katër ministri, tri bashki dhe një Këshill Ministrash.
Dhe si arritën ta bindnin kryeministrin Rama që fushatën elektorale të vitit 2021 ta niste pikërisht nga impianti i tyre.
Hetimi duhet të ndjekë paratë, firmat dhe përgjegjësitë — deri në fund dhe pa përjashtime.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



