Takimi misterioz në Aruba, Artan Hoxha zbardh prapaskenat e forta
“Të pranishëm një deputet dhe një njeri i afërt i Ramës”
Takimi i shumëpërfolur në Aruba, që sot përmendet në dosjen e SPAK për një rrjet të dyshuar të trafikut ndërkombëtar të drogës dhe pastrimit të parave, rezulton të jetë sinjalizuar vite më parë nga autoritetet belge. Gazetari investigativ Artan Hoxha ka treguar se informacionin e parë për këtë takim e ka marrë që në vitin 2021, gjatë një dëshmie në Prokurorinë Federale të Belgjikës, ku ishte thirrur në lidhje me hetimet për platformën e koduar Sky ECC.
Në një intervistë për gazetarin Blendi Fevziu, Hoxha shpjegon se gjatë qëndrimit të tij në Belgjikë, autoritetet vendase i kërkuan informacion mbi përdorimin e rrjeteve të kriptuara nga krimi i organizuar, ndërsa vetë ai kishte publikuar më herët të dhëna në median ndërkombëtare për rolin e Sky ECC si një nga mjetet kryesore të komunikimit të grupeve kriminale pas goditjes së EncroChat.
“Unë kam qenë në vitin 2021 në Belgjikë, i thirrur nga prokuroria federale belge, dhe për të dëshmuar në atë kohë në lidhje me çështjen e Sky-t kam dhënë një intervistë në gazetën britanike Daily Express ku kisha publikuar të dhëna dhe deklaroja që rrjeti i kriptuar Sky përdorej nga krimi i organizuar si një mjet komunikimi i sigurt dhe ky program i kriptuar ishte kthyer tashmë në rrjetin kryesor të komunikimit mbasi ishte goditur EncroChat-i…”, shprehet Hoxha.
Ai tregon se gjatë kësaj dëshmie, një oficer i policisë gjyqësore belge i përmendi për herë të parë ekzistencën e një takimi të zhvilluar në ishullin Aruba.
“Dhe në një moment vjen një oficer i policisë gjyqësore atje dhe më thotë, ore ke dëgjuar thotë për një takim që është bërë në ishullin Aruba përballë Venezuelës? I thashë jo. Po sepse tha ne na rezulton tha që aty është bërë një takim i nivelit të lartë tha dhe ne mendojmë që aty janë bosët kryesorë tha të krimit të organizuar shqiptar. I thashë unë nuk i kam dëgjuar por nëse ju keni ndonjë të dhënë i thashë unë të personave mund ta marr. Edhe nuk e keni sqaruar i thashë unë, unë mund t’i shoh se mund t’i njoh i thashë unë. Dhe në atë moment, ai shkon mos gaboja edhe sjell një… kishte një material, kishte dhe një foto dhe më përmend disa emra. Dhe aty me iniciale kam parë dhe emrin E. Rama”, rrëfen gazetari.
I pyetur mbi pjesëmarrësit dhe arsyet e këtij takimi, Hoxha thekson se nga informacionet e siguruara, zgjedhja e Arubës nuk ka qenë rastësore.
“Nga interesimi që bëra mora informacion që takimi është bërë në Aruba e para për shkak se disa nga ata që ishin në takim nuk shkelin dot në Shtetet e Bashkuara”, shprehet ai, duke shtuar se vendndodhja lidhej edhe me lëvizjet dhe rezidencat e pjesëmarrësve.
Ai përmend se disa prej tyre vinin nga Miami, Majorka, Gjermania dhe Panama, ndërsa thekson edhe përfshirjen e personave që operojnë në sektorin e kazinove në Europë.
“Dhe takimi u la në Aruba dhe prej një fakt tjetër, këta që erdhën nga Evropa, vëllezërit Osmani që shfaqen në dosje, janë pronarë të një rrjeti të madh kazinosh në Gjermani”, shprehet Hoxha.
Sipas tij, takimi ka zgjatur rreth një javë dhe përveç diskutimeve, është shoqëruar edhe me aktivitete argëtuese, duke marrë parasysh natyrën turistike të zonës.
Gazetari tregon gjithashtu se ka komunikuar drejtpërdrejt me disa prej pjesëmarrësve.
“Atëherë nga informacioni që kam marrë unë, unë kam folur me dy nga pjesëmarrësit e takimit. Me Artur Shehun kam folur në Miami mbasi e kisha publikuar lajmin dhe më shumti i duhej se donte të sqaronte se çfarë kishte ndodh. Dhe kam folur dhe me një person tjetër që kishte në takim i cili nuk ka ndonjë rëndësi për çështjen. Por ai më ka sqaruar saktësisht që ne nuk kemi qenë në takim për të bërë një deal sepse unë jam qytetar i lirë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, jam i hetuar nga autoritetet amerikane dhe nuk jam në pjesën e aktivitetit tim përfshirja në aktivitete të narkotrafikut.”
Sipas dëshmisë së marrë prej tij, në takim janë diskutuar kryesisht çështje biznesi, përfshirë investime në turizëm dhe ndërtim.
“Takimi atje është bërë së pari me ishin një grup miqsh, së dyti për të diskutuar për çështje të biznesit, gjë që me sa di unë është diskutuar dhe për ndërtimin e një hoteli në zonën e Zvërnecit. Por meqenëse vlera e hotelit ishte diku te 35 milionë euro, ai ka thënë që nuk kam interes për ta vazhduar këtë projekt sepse kam një projekt më të madh në mendje.”
Në intervistë ngrihet edhe çështja e pranisë së zyrtarëve në këtë takim. Hoxha shprehet se, sipas të dhënave që ka siguruar, bëhet fjalë për më shumë se një person me rol institucional.
“Në fakt sipas të dhënave që kam marrë vesh unë aty flitet për dy. Për një person i cili në atë kohë ishte deputet, dhe personi tjetër që aty evidentohet si njeri shumë i afërt i kryeministrit Rama. Pra një njeri që përfaqësonte edhe ekzekutivin.”
Megjithatë, ai thekson se identitetet nuk janë bërë publike, ndërsa shton se një prej tyre përmendet edhe në publikime të mëvonshme ndërkombëtare, në lidhje me çështje pronash dhe investimesh në Shqipëri.
“Zyrtari së pari ka qenë njohje e personave në fjalë pra është një njeri i njohur i tyre, i besuar. Gazetari italian në librin që ka publikuar më vonë, ai thotë që është i njëjti zyrtar që ka ndihmuar në atë sipërfaqen prej 30 hektarësh që ishte dhuruar ish shefit të, ish gjeneralit të Guardia di Finanza-s, gjeneral Lisi. Pra bëhet fjalë për pronën e Artur Shehut e cila iu dhurua atij për llogari të një fondacioni.”
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



