E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Artan Hoxha zbulon shifrat marramendëse të “Grupit të Dubait”
Lajme

Artan Hoxha zbulon shifrat marramendëse të “Grupit të Dubait”

Mbi 3 miliardë dollarë, 1 ton ar dhe 260 milionë dollarë investime

Gazetari investigativ Artan Hoxha ka zbuluar shifra të konsiderueshme mbi pasurinë që dyshohet se ka gjeneruar një prej grupeve kriminale shqiptare, i njohur si “Grupi i Dubait”.

I ftuar në emisionin e Blendi Fevziut, Hoxha solli në vëmendje rastin e një grupi me origjinë nga Elbasani, për të cilin tha se kishte kapërcyer shifrën e 1 miliard dollarëve, ndërsa në momentin kur u godit nga autoritetet, fitimet e tij kishin kaluar 3 miliardë dollarët.

“Grupi i parë shqiptar që kaloi 1 miliard dollarë. Dhe në momentin kur u godit i kishte kaluar mbi 3 miliardë dollarë”, deklaroi Hoxha.

Edhe pse gazetari nuk përmendi emra gjatë këtij momenti të intervistës, grupi për të cilin bëhet fjalë lidhet me rrjetin kriminal të Franc Çopjas, i cili është ekstraduar në Belgjikë, ku përballet me akuza për vrasjen e Arjan Spahiut. Në këtë grup përmendet edhe Hajdar Çopja, i cili ka qëndruar në Dubai.

Një ton ar dhe investime të dyshuara në Shqipëri

Sipas Artan Hoxhës, përmasat e pasurisë së krijuar nga ky grup kishin tërhequr vëmendjen e autoriteteve belge, të cilat kishin ndërmarrë përpjekje të mëdha për të siguruar kapjen e personit që lidhej me të.

Gazetari tha se, nga informacionet e siguruara prej autoriteteve të huaja, dyshohet se grupi kishte blerë rreth një ton ar, në formën e lingotave dhe monedhave. Sipas tij, ekziston dyshimi se kjo pasuri mund të jetë sjellë në Shqipëri.

Hoxha përmendi gjithashtu blerjen e një makinerie për prerjen e diamanteve, ndërsa vendndodhja e diamantëve dhe rezervave të tjera të dyshuara financiare, sipas tij, nuk është zbuluar.

“Por të paktën, ka blerë 1 ton ar, në lingota dhe në monedha, e cila mendohet që është pasuri që mund të jetë futur në Shqipëri. Pjesa tjetër pastaj janë blerë, është blerë një makineri për prerje diamantesh, por nuk janë gjetur diamantet dhe rezervat e tjera”, u shpreh gazetari.

Ai shtoi se Shqipëria përbënte një treg tepër të vogël për kapacitetet financiare që kishte krijuar ky rrjet kriminal, ndaj një pjesë e investimeve ishte orientuar drejt tregjeve të huaja.

260 milionë dollarë në pasuri të paluajtshme në Dubai

Një prej shifrave më të konsiderueshme të përmendura nga Hoxha lidhet me investimet në sektorin e pasurive të paluajtshme dhe ndërtimit në Dubai.

Sipas tij, në periudhën tetor-nëntor 2022, personi që ai përshkroi kishte investuar rreth 260 milionë dollarë në këta sektorë në Emiratet e Bashkuara Arabe.

“Është treg shumë i vogël për një lloj investitori të tillë. Por në Dubai, në nëntor, në tetor të vitit 2022, ai kishte një investim prej 260 milionë dollarësh në real estate dhe në ndërtim”, deklaroi Hoxha.

Kjo shifër, sipas gazetarit, ilustron përmasat e kapitalit që dyshohet se kishte në dispozicion grupi dhe arsyen pse aktiviteti i tij kishte tërhequr interesin e autoriteteve jashtë Shqipërisë.

Pasuria e krijuar në një kohë të shkurtër tërhoqi vëmendjen e autoriteteve

Në vijim të intervistës, Hoxha theksoi se ajo që e kishte veçuar këtë grup nga rrjetet e tjera kriminale ishte ritmi i shpejtë me të cilin kishte krijuar pasuri dhe vëllimi i madh i parave që dyshohet se kishte gjeneruar.

“Ky ka qenë grupi që ra më shumë në sy sepse u bë i pasur shumë shpejt dhe kaloi sasi”, u shpreh gazetari.

Deklaratat e Hoxhës rikthejnë në vëmendje përmasat financiare të rrjeteve kriminale shqiptare që shtrijnë aktivitetin përtej kufijve, si dhe vështirësitë e autoriteteve për të identifikuar, gjurmuar dhe sekuestruar pasuritë që dyshohet se burojnë nga aktiviteti kriminal.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.