“Të duam gjallë a vdekur”, djali i Remzi Hoxhës nxjerr fotot e të atit
Kanë kaluar plot 30 vite nga zhdukja e biznesmenit Remzi Hoxha, një nga ngjarjet më të errëta dhe të pashpjeguara të tranzicionit shqiptar. Më 21 tetor 1995, ai u rrëmbye në vendin e tij të punës në Shqipëri, dhe që prej asaj dite, fati i tij mbetet i panjohur. Në këtë përvjetor të dhimbshëm, djali i tij, Ardian Hoxha, ka ndarë një mesazh të ndjerë në rrjetet sociale, duke kujtuar babain me lot në sy dhe shpresë në zemër.
“Tridhjetë vjet heshtje nga shteti shqiptar. Tridhjetë vjet kërkimi dhe shprese që kurrë nuk është shuar,” shkruan ai, duke theksuar se mungesa e babait është shndërruar në një prani të përhershme dhe të ndjerë në çdo hap të jetës së familjes së tij.
Ardian Hoxha nënvizon se, ndonëse trupi i të atit ende nuk është gjetur, shpirti i tij jeton përmes guximit dhe forcës që la pas – dhe në të vërtetat që ende presin të dalin në dritë. Ai shprehet me bindje se një ditë e drejta do të triumfojë.
“Ai do të prehet si hero, jo si viktimë,” shprehet Ardiani, duke shtuar se kujtimi i Remzi Hoxhës mbetet busulla shpirtërore e familjes, një dritë që i udhëheq edhe sot, pas tre dekadash.
“Ne ende vazhdojmë ta kërkojmë, ende presim dhe ende jemi krenarë. Lavdi për ty, babi im i dashur, krenari e kombit tonë,” përmbyll ai.
Rasti i Remzi Hoxhës ka mbetur një plagë e hapur për familjen dhe për opinionin publik. Pavarësisht se kanë kaluar shumë qeveri në Shqipëri, asnjëra nuk ka arritur të zbardhë plotësisht këtë çështje apo të çojë para drejtësisë përgjegjësit. Dosja e tij vijon të jetë simbol i mungesës së transparencës dhe drejtësisë në periudhën e pas-komunizmit.
View this post on Instagram
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



