Të shtënat në Jug, djali i pronarit të ‘Brunesit’ mes 4 të ndaluarve
Bruno Çela është një nga katër personat e ndaluar pas incidentit të ndodhur në Palasë, ku nga një jaht u raportuan të shtëna armësh. 31-vjeçari, së bashku me tre persona të tjerë, tentoi t’i shmangej policisë në det, duke u ndjekur për rreth dy orë nga forcat e rendit, derisa u kap dhe u vu në pranga.
Ai rezulton të jetë djali i biznesmenit Geront Çela, i njohur si pronar i kompanisë “Brunes”, e specializuar në tregtimin e pllakave dhe pajisjeve hidrosanitare.
Përveç lidhjeve familjare në biznes, Bruno Çela është i përfshirë edhe vetë në disa aktivitete ekonomike. Ai figuron aksioner në disa kompani, përfshirë “MennYacht Albania”, si dhe në “AKBC Invest” dhe “BB Orikum Invest”, të cilat operojnë kryesisht në fushën e ndërtimit dhe menaxhimit të strukturave turistike. Gjithashtu, ai lidhet edhe me projektin “Vlora Marina”.
Në aspektin personal, në maj të vitit 2023, Bruno Çela u martua me Brianën, vajzën e politikanit Tom Doshi, në një ceremoni luksoze të zhvilluar në Tiranë.
Në planin politik, ai ka qenë pjesë e Këshillit Bashkiak të Tiranës si përfaqësues i Partisë Socialdemokrate (PSD), ku ishte renditur i pari në listë, duke hyrë në këshill bashkë me dy anëtarë të tjerë të kësaj force politike.
Të dhënat zyrtare nga Qendra Kombëtare e Biznesit konfirmojnë përfshirjen e tij në disa prej këtyre subjekteve, duke dëshmuar aktivitetin e tij të zgjeruar në sektorë të ndryshëm ekonomikë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



