E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
“Të zhduk”, Fabian Peka rrëfen incidentin me Ramën në avion
Lajme

“Të zhduk”, Fabian Peka rrëfen incidentin me Ramën në avion

I riu nga Kukësi mohon se e ka sharë kryeministrin gjatë udhëtimit Tiranë-Napoli. Në emisionin “Çim Peka LIVE”, ai pretendon se Rama e ka kapur për qafe gjatë zbritjes nga avioni dhe i ka thënë: “Unë të zhduk”.

Fabian Peka ka rrëfyer në emisionin “Çim Peka LIVE” versionin e tij për incidentin e ndodhur gjatë udhëtimit me avion nga Tirana drejt Napolit, ku, sipas tij, është përfshirë kryeministri Edi Rama.

I riu mohoi raportimet se kishte sharë kryeministrin, duke deklaruar se gjithçka nisi pasi avioni u ndal dhe pasagjerët u ngritën për të zbritur. Sipas dëshmisë së tij, ai iu drejtua Ramës me fjalët: “Zoti kryeministër, e mira e të mirave është që ju mos ktheheni fare në Shqipëri, për të mirën e shqiptarëve dhe për të mirën tuaj”.

Peka pretendon se pas këtij komunikimi, Rama iu afrua dhe i tha: “Hajde, hajde të tregoj unë ty”. Më pas, gjatë zbritjes në shkallët e avionit, sipas tij, kryeministri e kapi për qafe dhe e pyeti se përse po i bënte foto.

“Besoj nuk është e ndaluar që të bëj foto”, tha Peka se i ishte përgjigjur Ramës. Sipas rrëfimit të tij, kryeministri më pas i kishte thënë: “E di çfarë të bëj unë? Unë të zhduk”.

Peka tregoi se në atë moment i ishte kundërpërgjigjur me një fyerje, të cilën ia kishte përsëritur Ramës edhe një herë tjetër. Më pas, sipas tij, kryeministri iu drejtua në italisht policëve që ndodheshin në fund të shkallëve dhe i riu u shoqërua prej tyre.

Fabian Peka: Policët më liruan pas rreth 10 minutash

Gjatë intervistës, Peka deklaroi se Rama qëndroi pranë automjetit të policisë deri në momentin kur ai u fut brenda, e më pas u largua. Ai shtoi se një pjesëtare e stafit të kryeministrit i kishte kërkuar pasaportën, pa i shpjeguar arsyen.

Sipas Pekës, pasi u shoqërua në polici, efektivët italianë e pyetën për atë që kishte ndodhur. Ai pretendon se, pasi u shpjegoi situatën, policët qeshën dhe më pas e liruan pas rreth 10 minutash.

I riu tha se pas lirimit vijoi udhëtimin drejt Londrës, ku ishte destinacioni i tij përfundimtar.

Rrëfimi i Fabian Pekës u bë gjatë një lidhjeje në emisionin “Çim Peka LIVE”, ku gazetari Çim Peka e pyeti për incidentin dhe raportimet e publikuara në media. Deklaratat e të riut për ngjarjen janë versioni i tij mbi atë që ndodhi gjatë udhëtimit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.