Tender 1.4 milionë € për sheshin “Skënderbej”, fituesi i paracaktuar?
Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve dhe Ndriçimit Publik, institucion në varësi direkte të Bashkisë së Tiranës, ka shpallur një tjetër procedurë tenderimi për mirëmbajtjen e sheshit kryesor të kryeqytetit, një hapësirë publike që prej vitesh shoqërohet me kosto të larta dhe debate mbi menaxhimin financiar.
Pavarësisht shpenzimeve të konsiderueshme, deri më tani nuk është bërë publik asnjë bilanc i detajuar mbi të ardhurat që gjeneron ky shesh, përfshirë qiratë nga aktivitetet apo përdorimet e ndryshme. Kjo mungesë transparence, e kombinuar me historikun e procedurave të mëparshme, ka ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si shpërndahen fondet dhe përfituesit realë të tyre.
Një histori tenderash që përsëritet
Dokumentet e analizuara ndër vite tregojnë një vijimësi të dukshme në përfitimin e fondeve nga e njëjta kompani, “Fusha”, e cila më herët ka fituar tenderët kryesorë për ndërtimin e sheshit, me një vlerë totale që ka arritur në rreth 17 milionë euro.
Pas përfundimit të ndërtimit, Bashkia e Tiranës ka hapur disa procedura të tjera që lidhen me mirëmbajtjen e këtij sheshi. Në mënyrë të përsëritur, këto tendera janë fituar sërish nga e njëjta kompani, duke krijuar perceptimin e një cikli të mbyllur përfitimesh.
Ndërkohë, edhe procedura e vitit 2026 është tashmë e hapur, me kompani të interesuara që kanë disa javë në dispozicion për të dorëzuar dokumentacionin. Megjithatë, duke parë precedentët, mbetet e hapur pyetja nëse fituesi është realisht i hapur apo i paracaktuar.
Detajet e tenderit të ri
Sipas dokumenteve zyrtare, procedura e shpallur nga drejtoria e drejtuar nga Piro Sinjari parashikon një kontratë me afat 32-mujor për “mirëmbajtjen dhe menaxhimin e sheshit ‘Skënderbej’”. Fondi limit i këtij tenderi është 132 milionë lekë, ose rreth 1.4 milionë euro.

Hapja e ofertave është parashikuar të zhvillohet më 20 prill 2026, ndërsa në dokumentacion janë specifikuar në detaje detyrat që duhet të përmbushë subjekti fitues.
Lista e shërbimeve përfshin pastrimin e sipërfaqeve të ndryshme – nga pllakat dhe betoni i larë, te granili dhe asfalti – si dhe menaxhimin e mbetjeve urbane përmes zbrazjes së koshave. Gjithashtu, kërkohet ndërhyrje në raste dëmtimesh, mirëmbajtje e kanalizimeve, pastrim i zgarave të ujërave të shiut dhe funksionimi i të ashtuquajturit kanal francez.
Në përshkrimin e punimeve përfshihet edhe mirëmbajtja e ndriçimit publik dhe e hapësirave të gjelbra, përfshirë pastrimin e barërave të këqija dhe mbushjen me materiale organike si ashkla pishe.
Një pjesë e rëndësishme e kontratës lidhet edhe me mirëmbajtjen e elementeve dekorative dhe funksionale të sheshit, si shatërvanët – si ata me presion ashtu edhe ata me rrjedhje – çezmat publike, stolat e betonit, vendparkimet për biçikleta, kangjellat dhe elementët e sigurisë rrugore.
Për më tepër, kompania fituese do të ketë përgjegjësi edhe për pastrimin gjatë eventeve publike apo private dhe për kontrollin e qarkullimit të automjeteve brenda hapësirës së sheshit.
Paralele me tenderin e vitit 2023
Analiza e dokumenteve të mëparshme tregon se një procedurë e ngjashme është zhvilluar edhe në vitin 2023, ku fituese u shpall sërish kompania “Fusha”. Në atë kohë, oferta e saj ishte rreth 106 milionë lekë.
Ajo që bie në sy është fakti se në atë garë kishte edhe oferta më të ulëta, deri në rreth 200 mijë euro më pak, por që u skualifikuan për shkak të kritereve teknike.
Një nga kushtet kryesore që, sipas dokumenteve, ka ndikuar në skualifikimin e operatorëve të tjerë është kërkesa që kompanitë pjesëmarrëse të kenë realizuar punë të ngjashme në masën 40% të vlerës së tenderit. Ky kriter, në praktikë, favorizon kompani që kanë pasur më parë kontrata të mëdha në të njëjtën fushë, duke kufizuar ndjeshëm konkurrencën.
Dyshime mbi konkurrencën reale
Përsëritja e të njëjtit model fituesish, së bashku me kriteret e vendosura në dokumentacion, ka ushqyer dyshimet se procedurat mund të jenë të orientuara drejt një rezultati të paracaktuar.
Në këtë kontekst, edhe tenderi i vitit 2026 shihet me skepticizëm, duke qenë se probabiliteti për një “surprizë” në përzgjedhjen e fituesit konsiderohet minimal.
Ndërkohë, mungesa e transparencës mbi të ardhurat që gjeneron vetë sheshi dhe shpenzimet e përsëritura për mirëmbajtje shton presionin mbi institucionet për të dhënë më shumë llogari publike, sidomos kur bëhet fjalë për fonde që burojnë drejtpërdrejt nga taksapaguesit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



