E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Tenderi pa garë, OSSH “i fal” 540 milionë lekë Hamz Islamajt
Lajme

Tenderi pa garë, OSSH “i fal” 540 milionë lekë Hamz Islamajt

Një tjetër procedurë prokurimi po ngjall debat dhe pikëpyetje serioze mbi transparencën, këtë herë në OSSH të Tiranës, institucion që vepron nën varësinë e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Bëhet fjalë për tenderin me referencë REF-79126-03-12-2026, që lidhet me spostimin e linjave elektrike për projektin hekurudhor Durrës-Tiranë railway dhe lidhjen me Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës.

Ajo që bie në sy është mungesa totale e konkurrencës: në këtë garë ka marrë pjesë vetëm një kompani, BE-IS SH.P.K, në pronësi të biznesmenit Hamz Islamaj.

Në këto kushte, firma është shpallur fituese automatikisht me një ofertë prej 45,111,766 lekë të reja pa TVSH, ose rreth 540 milionë lekë të vjetra me TVSH. Vlera e ofertës rezulton shumë pranë fondit limit, duke arritur në rreth 98.3% të tij – një diferencë minimale që, sipas ekspertëve të prokurimeve, shpesh konsiderohet sinjal për mungesë gare reale.

Ky fakt, i kombinuar me pjesëmarrjen e vetme në tender, ngre dyshime të forta për një proces formal, ku fituesi mund të ketë qenë i paracaktuar dhe konkurrenca thjesht e munguar.

Emri i Hamz Islamajt nuk është i panjohur në kontratat publike. Ai përmendet shpesh si një ndër përfituesit më të mëdhenj të fondeve shtetërore, me një histori kontratash të majme në sektorët e infrastrukturës dhe rindërtimit. Në disa raste, këto kontrata janë shoqëruar me akuza dhe dyshime për favorizime dhe lidhje me segmente të caktuara të administratës publike.

Rasti i fundit me OSSH-në vetëm sa i shton më tej këto dyshime, duke ngritur një pyetje thelbësore: pse një projekt me vlerë të konsiderueshme dhe rëndësi strategjike nuk arriti të tërheqë asnjë ofertë tjetër?

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.