Tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe policisë te Kuvendi
Situata është tensionuar që në momentet e para të protestës së 54-të përpara Kuvendit të Shqipërisë, ku një grup qytetarësh tentoi të depërtonte brenda perimetrit të sigurisë të vendosur nga policia. Në përpjekje për të çarë kordonin, protestuesit synuan të largonin një pjesë të gardhit metalik, duke sjellë përplasje të drejtpërdrejta me forcat e rendit.
Efektivët e policisë kanë ndërhyrë për të ruajtur kontrollin dhe për të mos lejuar thyerjen e perimetrit, ndërsa situata në terren mbetet e tensionuar. Në kulmin e përshkallëzimit, protestuesit kanë hedhur vezë dhe domate në drejtim të uniformave blu, duke rritur më tej përplasjet.
Pak minuta më vonë, një pjesë e gardhit metalik është çmontuar nga qytetarët, ndërsa në zonë është afruar edhe autoboti i ujit, i vendosur në gatishmëri për çdo ndërhyrje të mundshme.
Protesta vijon nën masa të forta sigurie, me prezencë të shtuar të policisë, ndërsa qytetarët kërkojnë dorëheqjen e qeverisë dhe vijojnë thirrjet kundër kryeministrit Edi Rama dhe mazhorancës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



