Tensione në Patos-Marinëz, banorët çajnë portën e “Bankers Petroleum”
Ka nisur me tensione protesta e paralajmëruar prej dy ditësh nga banorët e zonës naftëmbajtëse Patos-Marinëz, të cilët kanë dalë sërish në rrugë për të kërkuar zgjidhje për problemin e tokave të dhëna me qira për aktivitetin e kompanisë Bankers Petroleum.
Situata është përshkallëzuar që në nisje të protestës, pasi një grup banorësh kanë hapur me forcë portën e një prej sektorëve të kompanisë dhe janë futur brenda ambienteve të saj.
Banorët kanë kërkuar largimin e punonjësve nga zona, ndërsa tensionet janë shtuar gjatë përplasjes mes protestuesve dhe përfaqësuesve të kompanisë.
Kërkojnë pagesat për tokat e dhëna me qira
Në themel të protestës qëndrojnë kërkesat e banorëve për respektimin e marrëveshjeve të lidhura për tokat e tyre dhe marrjen e pagesave që, sipas tyre, u takojnë në bazë të kontratave.
Protestuesit pretendojnë se kompania nuk ka përmbushur detyrimet e saj financiare dhe kërkojnë që çështja të zgjidhet pa vonesa të mëtejshme.
Një prej banorëve e ka shprehur me tone të forta pakënaqësinë e tij gjatë protestës:
“Është prona ime, jo e jotja. Kemi bërë një kontratë bashkë, por nuk po e zbaton, nuk po më jep lekët.”
Kjo është një tjetër përplasje mes banorëve të zonës dhe kompanisë për çështjen e tokave. Edhe më herët, banorët kanë protestuar duke kërkuar pagesat e qirave dhe një zgjidhje për marrëveshjet e lidhura me pronat e tyre.
Ndërkohë, situata në Patos-Marinëz vijon të mbetet e tensionuar, ndërsa pritet të shihet nëse protesta do të shoqërohet me ndërhyrje të forcave të rendit apo me një përpjekje për dialog mes banorëve dhe kompanisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



