E diel, 1 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Tatimet bllokojnë aksionet e kompanisë “së punëve të errëta” të Bankers-it
Lajme

Tatimet bllokojnë aksionet e kompanisë “së punëve të errëta” të Bankers-it

Një tjetër zhvillim prek kompanitë që kanë dalë në hetimet për aktivitetin financiar të “Bankers Petroleum”. Këtë herë në qendër është “Qinglong Petroleum Technology and Engineering Company LLP Albania Branch”, ndaj së cilës administrata tatimore ka marrë masa kufizuese për shkak të detyrimeve fiskale të papaguara, në vlerën mbi 10.7 milionë lekë të reja.

Bëhet fjalë për një shoqëri me origjinë nga Hong Kongu, e cila është regjistruar në Shqipëri si degë e huaj në dhjetor të vitit 2023. Emri i saj është përmendur edhe në dosjen hetimore të Prokurorisë së Fierit për “Bankers Petroleum”, ku janë ngritur dyshime mbi marrëdhëniet tregtare dhe financiare mes dy kompanive.

Sipas dokumentacionit të administratës tatimore, më 12 tetor 2026, Drejtoria e Mbledhjes së Detyrimeve Tatimore të Papaguara i është drejtuar Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB), duke kërkuar vendosjen e masës së sigurimit për shoqërinë. Qëllimi i këtij veprimi është ndalimi i shitjes apo kalimit të aksioneve dhe pasurive të saj deri në shlyerjen e detyrimeve ndaj shtetit.

Në shkresën zyrtare, detyrimi i papaguar i kompanisë, e cila rezulton me administrator Junlin Sheng, përcaktohet në shumën 10.788.188 lekë të reja, ose rreth 108 milionë lekë të vjetra.

Administrata tatimore sqaron se subjektit i është dërguar më parë njoftimi për shlyerjen e detyrimit, por pagesa nuk është kryer. Për këtë arsye, janë aktivizuar masat shtrënguese të parashikuara nga legjislacioni tatimor.

Në urdhrin drejtuar QKB-së kërkohet që të mos lejohet tjetërsimi i pasurive, të drejtave pasurore dhe kuotave apo aksioneve të shoqërisë, deri në shlyerjen e plotë të detyrimeve fiskale.

Qinglong në dosjen e Prokurorisë për Bankers Petroleum

Përtej detyrimeve fiskale, emri i “Qinglong Petroleum” ka tërhequr vëmendjen e hetuesve të Prokurorisë së Fierit, të cilët kanë shqyrtuar rolin e saj në marrëdhëniet financiare me koncesionarin e naftës “Bankers Petroleum”.

Shoqëria është regjistruar në Shqipëri në dhjetor 2023, si degë e kompanisë kineze “China International Zoom Material Co Limited”, me seli në Hong Kong. Në dokumentet e regjistrimit përmenden si administratorë dhe përfaqësues ligjorë shtetasit Jiang Yijun dhe Junlin Sheng.

Hetimi për aktivitetin e “Bankers Petroleum” nisi në dhjetor 2024 dhe përfshin një periudhë që shtrihet të paktën nga viti 2015. Prokuroria e Fierit ka ngritur dyshime për disa vepra penale, mes tyre fshehjen e të ardhurave, pastrimin e produkteve të veprës penale, shpërdorimin e detyrës dhe moskryerjen e detyrave nga organet tatimore.

Në fokus të hetuesve është mënyra se si janë deklaruar dhe realizuar shpenzimet e kompanisë koncesionare. Dyshimi kryesor është se “Bankers Petroleum” mund të ketë fryrë në mënyrë fiktive kostot e aktivitetit, me qëllim uljen e detyrimeve fiskale që duhej të paguante në buxhetin e shtetit.

Gjatë hetimeve janë identifikuar disa subjekte tregtare, për të cilat prokurorët dyshojnë se kanë shërbyer si hallka në qarkullimin e parave të përfituara në mënyrë të paligjshme. Mes tyre figuron edhe “Qinglong Petroleum”.

Në dosjen e paraqitur në gjykatë në korrik 2025, në kuadër të kërkesave për caktimin e masave të sigurisë ndaj të paktën 14 personave, shqiptarë dhe të huaj, prokurorët kanë ngritur pikëpyetje edhe mbi strukturën e pronësisë së kësaj kompanie.

Sipas argumentimit të organit të akuzës, pronari përfitues i “Qinglong Petroleum” është “China International Zoom Material Co Limited”, e regjistruar në Hong Kong. Prokurorët kanë vënë në dukje se ky juridiksion përdoret shpesh për struktura korporative që mund të shërbejnë për qëllime të paqarta fiskale ose ligjore.

Një tjetër element që ka tërhequr vëmendjen e hetuesve lidhet me numrin e punonjësve dhe aktivitetin real të kompanisë. Sipas të dhënave të administruara gjatë hetimit, fillimisht shoqëria kishte vetëm administratorin si person të punësuar, ndërsa gjatë vitit 2024 numri i stafit arriti në 24 persona, shumica shtetas kinezë.

Megjithatë, në dosje evidentohet se 10 prej këtyre punonjësve nuk kanë hyrë asnjëherë në territorin shqiptar, ndonëse rezultonin të paguar rregullisht.

Fitime 1.3 milionë euro, klientë Bankers dhe Albdrilling

Dyshimet e Prokurorisë janë përqendruar edhe te përmasat financiare të aktivitetit të “Qinglong Petroleum”. Sipas dokumenteve hetimore, kompania ka deklaruar për vitin 2024 një fitim prej rreth 1.3 milionë eurosh, pavarësisht pikëpyetjeve të ngritura për mënyrën se si funksiononte dhe përbërjen e stafit të saj.

Në të njëjtat akte thuhet se klientët e saj kryesorë ishin “Bankers Petroleum” dhe “Albdrilling” sh.a. Kjo e fundit përmendet gjithashtu në hetimin e Prokurorisë së Fierit mbi skemën e dyshuar të pastrimit të parave që lidhet me koncesionarin e naftës.

Kështu, “Qinglong Petroleum” gjendet njëkohësisht përballë masave të administratës tatimore për detyrime të papaguara dhe në dokumentacionin e një prej hetimeve më të rëndësishme financiare që lidhen me aktivitetin e “Bankers Petroleum” në Shqipëri.

Duhet theksuar se përfshirja e emrit të kompanisë në dosjen hetimore dhe dyshimet e ngritura nga prokurorët nuk përbëjnë në vetvete një vendim gjyqësor që provon përgjegjësinë penale të saj.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.