Tensione para Kuvendit, protestuesit hedhin vezë drejt efektivëve
Protesta e zhvilluar këtë të hënë përpara godinës së Kuvendit ka marrë një kthesë të papritur, duke u shoqëruar me rritje të ndjeshme të tensionit mes protestuesve dhe forcave të rendit. Situata u përshkallëzua në momentin kur një grup qytetarësh tentoi të afrohej drejt hyrjeve të Parlamentit, duke sfiduar kordonin e vendosur nga policia.
Për disa minuta me radhë, protestuesit u shpërndanë në rrugët përreth zonës, duke kërkuar hapësira për të depërtuar drejt institucionit, ndërsa efektivët e policisë reaguan duke forcuar perimetrin e sigurisë dhe duke bllokuar çdo tentativë për kalim.
Përplasjet nuk munguan, ndërsa në kulmin e tensionit disa prej protestuesve hodhën vezë në drejtim të uniformave blu. Si kundërpërgjigje, forcat e rendit përdorën në disa raste spraj me lëndë irrituese, me synimin për të shpërndarë turmën dhe për të rikthyer kontrollin e situatës.
Situata në zonë vijon të mbetet e ngarkuar, ndërsa prania e shtuar e policisë tregon për një gatishmëri të lartë për të parandaluar përshkallëzime të mëtejshme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



