Tërmet tragjik në Afganistan: Mbi 600 të vdekur, mijëra të plagosur
Më shumë se 600 persona kanë humbur jetën dhe mbi 1500 të tjerë janë plagosur pas një tërmeti me magnitudë 6.0 që goditi rajonin lindor të Afganistanit të dielën në mbrëmje, raportojnë mediat shtetërore.
Ekipet e shpëtimit janë mobilizuar në disa distrikte të provincave malore pranë kufirit me Pakistanin, por autoritetet paralajmërojnë se numri i viktimave mund të rritet ndjeshëm për shkak të izolimit të komuniteteve dhe rrëshqitjeve të dheut që kanë bllokuar rrugët.
Sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara (USGS), tërmeti ndodhi rreth mesnatës, 27 kilometra në verilindje të qytetit Jalalabad, në një thellësi të cekët prej vetëm 8 kilometrash. Pasgoditje të shumta, përfshirë një tërmet me magnitudë 5.2, janë ndjerë në orët që pasuan.
Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Sharafat Zaman, tha se “numri i viktimave dhe i të plagosurve është i lartë, por duke qenë se zona është e vështirë për t’u arritur, ekipet tona ende po punojnë në terren.”
Lëkundjet janë ndjerë fuqishëm edhe në Kabul, 160 kilometra larg epiqendrës, ku banorët kanë dalë me nxitim në rrugë. Zëdhënësi i talebanëve, Zabihullah Mujahid, deklaroi se “të gjitha burimet e mundshme do të përdoren për shpëtim dhe ndihmë”, ndërsa ekipe shtesë nga provincat fqinje janë nisur drejt zonave të goditura.
Tërmeti u ndje edhe në disa provinca të Pakistanit fqinj, ndërsa sistemi PAGER i USGS lëshoi një alarm portokalli, që paralajmëron për viktima të shumta dhe humbje të mëdha ekonomike.
Afganistani ka një histori të gjatë tërmetesh shkatërruese. Vetëm në tetor 2023, mbi 2 mijë persona humbën jetën nga një tërmet me magnitudë 6.3 që goditi Afganistanin perëndimor një nga më vdekjeprurësit në dekadat e fundit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



