Territorialja/ Kryebashkiakja e Dimalit përplaset live me Maznikun
Një ditë para votimit në Kuvend të Hartës së re Territoriale, debati për riorganizimin e njësive vendore është zhvendosur edhe te performanca e bashkive që pritet të preken nga reforma.
Deputeti socialist Arbjan Mazniku, i ftuar në emisionin “Breaking”, ka argumentuar sërish nevojën për ndryshimin e hartës, duke u ndalur edhe te Bashkia Dimal.
Përballë tij ishte kryebashkiakja e Dimalit, Juliana Memaj, e cila kundërshtoi reformën dhe vuri në pikëpyetje disa prej të dhënave të përdorura për të vlerësuar funksionimin e bashkisë.
Mazniku deklaroi se, pavarësisht se Dimal është një bashki që sipas tij funksionon mirë nga pikëpamja financiare, ajo nuk arrin të mbulojë të gjitha shërbimet që parashikohen në kuadrin buxhetor.
Mazniku: “Sot bashkia Dimal, e cila funksionon mirë financiarisht, ofron 14 nga 26 shërbimet buxhetore që duhet të mbulojë.”
Kjo shifër u kundërshtua nga Memaj, e cila tha se bashkia që drejton rezulton me 21 programe buxhetore. Ajo kritikoi gjithashtu mënyrën se si, sipas saj, janë mbledhur dhe përdorur të dhënat nga ekspertët.
Memaj: “Nuk ka pasur një transparencë në këto evidenca të nxjerra nga ekspertët për rastin konkret për funksionet. Nuk ka pasur një ballafaqim përpara hartimit të projektligjit. Nuk e di, mund të jetë e saktë kjo që thotë Mazniku, por unë di të them nga shifrat që kam unë, në bashkinë tonë rezulton nga 21 programe buxhetore. Ne flasim me programe buxhetore, të cilat i përfshijnë në elementet e tyre të gjitha funksionet.”
Mazniku iu përgjigj duke theksuar se vlerësimi nuk është bërë mbi të dhëna të veçuara për Bashkinë Dimal, por mbi të njëjtin standard të përdorur për të gjitha bashkitë e vendit.
Mazniku: “Bashkia Dimal, me të njëjtën kut që janë mbajtur 61 bashkitë e vendit, me programet buxhetore të Ministrisë së Financave, jo me të dhëna që i kam menduar unë. Është i njëjti kut që është mbajtur e gjithë Shqipëria. Gjithsecili prej nesh ka kutin e vet për t’i matur gjërat.”
Deputeti socialist pranoi se nga pikëpamja e funksionimit bashkiak, Dimal nuk ka pasur një performancë të dobët, por argumentoi se problematika shfaqen në tregues të tjerë, si demografia dhe performanca ekonomike.
Mazniku: “Bashkia në fjalë, nga pikëvështrimi i funksionalitetit bashkiak, nuk ka funksionuar keq. Por nga pikëvështrimet e tjera që kanë të bëjnë me demografinë apo me performancën ekonomike, ka treguar elemente jo të mira.”
Sipas Maznikut, bashkëpunimi me një qendër më të madhe urbane do t’i sillte përfitime zonës së Dimalit. Ai iu referua veçanërisht lidhjeve historike dhe ekonomike me Beratin.
Mazniku: “Elementi i përgjithshëm është që do përfitonte masivisht nga bashkëpunimi. Është afër një zone, me një qytet shumë të madh. Ndërveprimi me Beratin është historik. Kanë ekonomi të përbashkët. Një pjesë e madhe e njerëzve që shkojnë të marrin shërbime, i marrin në Berat. Shesin, blejnë në Berat…”
Por Memaj kundërshtoi edhe këtë argument, duke deklaruar se treguesit ekonomikë të Bashkisë Dimal, sipas të dhënave që ajo disponon, janë më të lartë se ata të Bashkisë Berat.
Memaj: “Nuk dhatë të dhëna të sakta. Indeksi për të dhënat ekonomike të bashkisë Dimal janë më të larta se në bashkinë Berat. Ne kemi qenë nga ato bashkitë që kemi investuar nga të ardhurat tona.”
Debati vjen në prag të votimit në Kuvend për Hartën e re Territoriale, e cila ka hapur diskutime mes përfaqësuesve të pushtetit vendor dhe mazhorancës për mënyrën se si do të organizohen bashkitë dhe shërbimet në territor.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



