Terror në Mamurras, i kërkuari tenton të shtypë policinë me makinë
Efektivët hapin zjarr, plagoset 23-vjeçari
Arrestohet djali i ish-deputetit Mhill Fufi
Një operacion i Policisë së Shtetit në Mamurras ka degjeneruar në tension dhe shkëmbim zjarri, pasi dy të rinj kanë kundërshtuar me forcë ndërhyrjen e efektivëve, duke rrezikuar jetën e tyre.
Objektiv i operacionit ishte Leonard Dema, 23 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe i dënuar nga Gjykata e Trentos në Itali me 7 vite burg për tentativë vrasjeje. Pas informacioneve të siguruara në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, policia lokalizoi vendndodhjen e tij në një karburant në aksin “Mamurras–Laç”.
Në momentin e ndërhyrjes, 23-vjeçari, i cili udhëtonte me automjet së bashku me Amadeo Fufin, 28 vjeç, ka tentuar të përplasë efektivët me makinë. Ndërkohë, sipas policisë, Fufi dyshohet se u ka drejtuar armën e zjarrit punonjësve të rendit.
Në kushtet e vetëmbrojtjes, efektivët kanë hapur zjarr për neutralizimin e rrezikut, duke plagosur Leonard Demën. Ai u transportua menjëherë në Spitalin e Traumës në Tiranë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë operacionit, policia arrestoi në flagrancë Amadeo Fufin, nga i cili u sekuestrua edhe një armë zjarri pistoletë. Mësohet se ai është djali i ish-deputetit të Partisë Demokratike, Mhill Fufi.
Ngjarja ka shkaktuar panik në zonë, ndërsa hetimet vijojnë në bashkëpunim me AMP-në dhe nën drejtimin e Prokurorisë, për të zbardhur plotësisht rrethanat e përplasjes së armatosur.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



