Me ndjekje si në filma, arrestohet Edmir Xhaferri në Mamurras
Një 27-vjeçar është arrestuar nga Policia në Mamurras pas një ndjekjeje, ndërsa dyshohet se qarkullonte me armë zjarri. Në përpjekje për t’u larguar, ai nuk iu bind urdhrit të uniformave blu dhe, sipas Policisë, përplasi edhe automjetin e shërbimit.
I arrestuari është identifikuar si Edmir Xhaferri, banues në Mamurras, Kurbin. Operacioni policor, i koduar “Target”, u zhvillua pas informacioneve të siguruara nga strukturat e Policisë për një person që dyshohej se lëvizte i armatosur në qytet.
Në aksion morën pjesë efektivë të Sektorit për Krimet e Rënda, Seksionit të Mbështetjes Operacionale në DVP Lezhë dhe Komisariatit të Policisë Kurbin.
Sipas të dhënave të bëra publike nga Policia, 27-vjeçari u pikas teksa lëvizte me automjet në Mamurras. Në momentin që konstatoi praninë e shërbimeve të Policisë, ai nuk ndaloi, por vijoi lëvizjen me shpejtësi, duke tentuar t’u largohej efektivëve.
Ndjekja vijoi në rrugët e qytetit dhe, gjatë përpjekjes për t’i shpëtuar Policisë, Xhaferri dyshohet se përplasi automjetin e shërbimit, duke vënë në rrezik efektivët që ndodheshin në zonë.
Policia bën me dije se gjatë largimit, 27-vjeçari hodhi nga automjeti edhe armën e zjarrit që dyshohet se mbante me vete. Efektivët vijuan ndjekjen dhe, pas disa minutash, arritën ta ndalonin në lagjen “Zef Hoti” të Mamurrasit.
Gjatë kontrollit dhe veprimeve të mëtejshme, Policia sekuestroi një pistoletë, municion luftarak, automjetin me të cilin lëvizte 27-vjeçari, si dhe një palë targa.
Pas arrestimit të Edmir Xhaferrit, materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për vijimin e hetimeve dhe kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



