“Terror” te Gjiri i Gramës, turistët detyrohen të dalin në breg me not
Një situatë e pazakontë dhe e tensionuar është shënuar ditën e sotme në Gjirin e Gramës, një nga destinacionet më të frekuentuara të rivierës shqiptare, ku ndërhyrja e forcave të rendit ka shkaktuar shqetësim dhe reagime të forta nga pushuesit dhe turistët e huaj.
Sipas dëshmive nga vendngjarja, policia ka ndërmarrë masa të rrepta duke mos lejuar mjetet lundruese të afrohen në breg për zbarkimin e pasagjerëve. Si pasojë, turistët janë detyruar të zbresin në det të hapur dhe të arrijnë në breg me not, shpesh duke mbajtur në duar çanta dhe bagazhe, një situatë që ka krijuar rrezik dhe panik, sidomos për ata që nuk dinë not.
“Janë sjellë si xhandarë! Nuk lejojnë asnjë skaf të afrohet në breg. Turistët po detyrohen të hidhen në ujë me çanta në duar, madje edhe ata që nuk dinë not janë të frikësuar,” shprehen dëshmitarët në zonë.
Burime nga terreni bëjnë me dije se çdo tentativë për t’iu afruar vijës bregdetare po shoqërohet me masa ndëshkuese të rënda, ku gjobat për mjetet lundruese dhe individët arrijnë deri në 5 milionë lekë. Këto masa kanë krijuar një atmosferë tensioni dhe pasigurie në një nga pikat më të vizituara të jugut.
Ndërhyrja ka shkaktuar kaos dhe pakënaqësi të madhe te turistët vendas dhe të huaj, të cilët janë përballur me një realitet të papritur në kulmin e sezonit veror. Situata rrezikon të dëmtojë ndjeshëm imazhin e turizmit shqiptar, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën e menaxhimit të sigurisë dhe shërbimeve në zonat bregdetare.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



