Denoncimi: Qeveria e do Gjirin e Gramës si pronë për trafikantët e dosjes ‘Aruba’
Deputetja Ina Zhupa, njëkohësisht kryetare e Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, ka reaguar ashpër lidhur me debatin për Gjirin e Gramës, duke e cilësuar këtë zonë si një simbol të përplasjes mes dy qasjeve diametralisht të kundërta mbi pasuritë kombëtare.
Në deklaratën e saj, Zhupa rikujton se më 10 shtator 2023 i është drejtuar zyrtarisht Qendrës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, me kërkesën për përfshirjen e Gjirit të Gramës në Listën e Trashëgimisë Botërore, me synimin për ta mbrojtur atë si një aset me vlera të jashtëzakonshme natyrore dhe kulturore.
Nga ana tjetër, ajo i referohet materialeve të publikuara së fundmi në të ashtuquajturën “Dosja Aruba”, ku sipas raportimeve mediatike, zona përmendet në kontekstin e tjetërsimit të pronave dhe projekteve të ashtuquajtura “investime strategjike”. Në këto publikime përmendet edhe emri i kryetarit të Bashkisë Himarë, Vangjel Tavo, lidhur me komunikime dhe negociata të supozuara për këtë territor.
Zhupa thekson se kjo situatë pasqyron dy vizione të kundërta: një që synon mbrojtjen dhe promovimin e Gjirit të Gramës si trashëgimi për brezat e ardhshëm, dhe një tjetër që, sipas saj, e sheh atë si një hapësirë për përfitime private dhe interesa të ngushta.
Në reagimin e saj, ajo nënvizon se Gjiri i Gramës është një pasuri e përbashkët e shqiptarëve dhe nuk duhet të trajtohet si objekt përfitimi apo tjetërsimi. Sipas Zhupës, ruajtja e kësaj zone dhe e pasurive të tjera natyrore e kulturore duhet të jetë prioritet kombëtar, përballë çdo tentative që cenon integritetin e tyre.
Deklarata e saj e plotë e përkufizon qartë këtë përplasje si një zgjedhje mes mbrojtjes së trashëgimisë dhe shfrytëzimit të saj për interesa private, duke apeluar për më shumë vëmendje dhe përgjegjshmëri institucionale në trajtimin e pasurive publike.

Reagimi i Ina Zhupës:
Dy vizione për Gjirin e Gramës UNESCO VS TRAFIKATËT!
Njëri vizion e sheh Gjirin e Gramës si pasuri kombëtare, trashëgimi natyrore e kulturore që duhet të mbrohet dhe të fitojë statusin e mbrojtjes së UNESCO-s. Për këtë arsye, më 10 shtator 2023 i jam drejtuar zyrtarisht Qendrës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s me kërkesën që Gjiri i Gramës të konsiderohet për Listën e Pasurive të Trashëgimisë Botërore.
Vizioni tjetër del në dritë nga e ashtuquajtura “Dosja Aruba”. Sipas materialeve të publikuara, në biseda ku përmenden trafikantë dhe afera pronash, Gjiri i Gramës nuk shihet si një pasuri që duhet mbrojtur, por si miliona metra katrorë që mund të tjetërsohen e të kthehen në “investim strategjik”. Ky sipas publikimeve në media është i përfshirë dhe me lidhje direkte, kryetari i bashkisë Himarë, Vangjel Tavos që negocion dhe bisedon me ta.
Kjo është diferenca mes nesh.
Ne luftojmë që Gjiri i Gramës të njihet nga UNESCO dhe t’u trashëgohet brezave i paprekur. Ata kanë treguar se e vetmja gjë që dinë të bëjnë është të lidhin zhvillimin me interesa të errëta, të tjetërsojnë prona, të shkatërrojnë trashëgiminë kulturore dhe zonat me rëndësi të jashtëzakonshme natyrore.
Gjiri i Gramës nuk është plaçkë për trafikantët, as trofe për klientët e pushtetit. Është një pasuri e shqiptarëve dhe si e tillë duhet mbrojtur. Siç duhet mbrojtur gjithë Shqipëria nga ky vizion rrëmbyes e plackitës i pasurisë publike për interesa private.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



