Tha se u rrah për një ‘Like’, motra e policit nxjerr mesazhet e Mecajt
“Të dëshiroj si i çmendur, o shpirt”
Ngjarja e raportuar pak ditë më parë në Fier, ku Altin Mecaj përfundoi në spital me plagë të shumta, ka marrë një kthesë tjetër pas reagimit publik të motrës së efektivit të policisë Fredi Lamaj, të cilin Mecaj e kishte akuzuar si të përfshirë në dhunë.
Mecaj kishte deklaruar se ishte sulmuar nga tre persona në oborrin e banesës së tij dhe kishte fajësuar punonjësin e policisë, duke pretenduar se konflikti kishte lindur pas një komenti në rrjetet sociale drejtuar motrës së tij. Sipas tij, ngjarja lidhej me një koment në Facebook, të cilin e kishte konsideruar të pafajshëm.
Por të premten, zonja në fjalë ka hedhur poshtë kategorikisht këto pretendime. Ajo ka deklaruar se vëllai i saj nuk ka qenë i përfshirë në asnjë konflikt apo akt dhune dhe se akuzat e Mecajt nuk janë të vërteta. Në reagimin e saj, ajo ka publikuar edhe disa mesazhe private që pretendon se i ka marrë nga Mecaj, disa prej të cilave me përmbajtje të papërshtatshme.
Sipas saj, nuk bëhet fjalë për një koment të vetëm në Facebook, por për një sërë mesazhesh të përsëritura, insistuese dhe të padëshiruara, të cilat ajo i cilëson si ngacmim dhe përndjekje. Ajo thekson se nuk ka kthyer asnjë përgjigje ndaj këtyre mesazheve dhe se komunikimi ka qenë i njëanshëm, duke i shkaktuar shqetësime serioze emocionale dhe familjare.
Zonja bën me dije se ka bërë kallëzim penal ndaj Altin Mecajt për përndjekje, duke shtuar se, sipas informacioneve të marra nga persona të tjerë, sjellje të ngjashme të tij janë raportuar edhe ndaj vajzave të tjera.
Nga ana tjetër, Mecaj ka vijuar të këmbëngulë në versionin e tij të ngjarjes, duke deklaruar se në mbrëmjen e 10 janarit është thirrur me emër për të dalë nga banesa dhe është dhunuar nga disa persona, pas një mesazhi kërcënues që pretendon se ka marrë nga vëllai i zonjës.
Ngjarja mbetet nën verifikim nga autoritetet, ndërsa palët kanë paraqitur versione të kundërta për rrethanat që çuan në konflikt.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



