Theu masën e sigurisë, arrestohet Valter Bami (Detajet)
Valter Bami, vëllai i Durim Bamit, është arrestuar sot nga Policia Rrugore e Elbasanit pasi është kapur në shkelje të masës së sigurisë “arrest shtëpie”, gjatë një kontrolli rutinë në Rrethrrotullimin e Luleve.
Efektivët ndaluan një automjet tip Audi të drejtuar nga shtetasja E. S., ku si pasagjer udhëtonte vetë Bami. Sipas burimeve policore, ai u ka kërkuar oficerëve të mos vononin procedurat, duke pretenduar se ndodhej në një situatë të tensionuar, të cilën e përshkroi si “hasmëri”.
Pas verifikimeve të identitetit dhe statusit ligjor, policia konstatoi se Bami po e shkelte masën e arrestit që i ishte vendosur më parë nga autoritetet gjyqësore. Si rezultat, ai u shoqërua në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, së bashku me drejtuesen e automjetit dhe mjetin që po përdornin.
Valter Bami konsiderohet një nga të dyshuarit në lidhje me atentatin e ndodhur në Larushk të Krujës, ku humbi jetën 29-vjeçari Ramazan Sino, kunati i Gentian Bejtjas, një tjetër emër i përfolur në botën e krimit. Ngjarja mbetet nën hetim, ndërsa autoritetet pritet të rishikojnë masën e sigurisë ndaj Bamit, pas shkeljes së masës së arrestit shtëpiak.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



