E enjte, 29 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Thirrje për “review bombing” ndaj bizneseve ndez debat në rrjetet sociale
Lajme

Thirrje për “review bombing” ndaj bizneseve ndez debat në rrjetet sociale

Një fushatë e koordinuar në rrjetet sociale, e njohur si “review bombing”, ka nxitur debat në Shqipëri, pasi përdorues të ndryshëm po bëjnë thirrje për publikimin masiv të komenteve negative dhe vlerësimeve me një yll ndaj bizneseve që, sipas tyre, nuk kanë mbajtur qëndrim publik për zhvillimet e fundit politike dhe sociale.

Në qendër të kësaj nisme është vendosur biznesmeni Gjergj Luca, bizneset e të cilit janë përballur me një numër të madh vlerësimesh negative në profilin e Google. Pas kësaj, në rrjete sociale janë shpërndarë thirrje që e njëjta praktikë të zgjerohet edhe ndaj sipërmarrësve të tjerë që perceptohen si të heshtur ose që konsiderohen të afërt me të njëjtin qëndrim.

Mesazhet e publikuara në platforma të ndryshme u bëjnë thirrje ndjekësve të lënë komente dhe nota minimale ndaj bizneseve të caktuara, me synimin për të ushtruar presion publik përmes reputacionit të tyre online.

Fenomeni i njohur ndërkombëtarisht si “review bombing” konsiston në publikimin e një numri të madh vlerësimesh pozitive ose negative brenda një kohe shumë të shkurtër, me qëllim ndikimin artificial të reputacionit të një subjekti në internet. Ky mekanizëm është dokumentuar më parë në raste të ndryshme në nivel ndërkombëtar, si ndaj kompanive, produkteve apo organizatave.

Nisma ka ndarë opinionin publik. Mbështetësit e saj e konsiderojnë një formë presioni qytetar dhe proteste digjitale, ndërsa kritikët argumentojnë se sulmet e koordinuara ndaj vlerësimeve online mund të dëmtojnë padrejtësisht reputacionin e bizneseve, pavarësisht cilësisë reale të shërbimeve që ato ofrojnë.

Ndërkohë, mbetet për t’u parë nëse kjo fushatë do të zgjerohet edhe ndaj bizneseve të tjera apo do të mbetet një reagim i kufizuar në rrjetet sociale.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.