Tmerr në Itali! 21-vjeçari shqiptar vret me thikë nënën në banesë
Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar në Itali, ku një 21-vjeçar dyshohet se ka vrarë me thikë nënën e tij, brenda banesës ku jetonin në zonën e Brescias.
Viktima është identifikuar si Meleqe Lusha, 39 vjeçe, ndërsa i dyshuari për krimin është djali i saj, Eduart Xhani, 21 vjeç, i lindur në San Bonifacio, në provincën e Veronës.
Sipas të dhënave paraprake, ngjarja ka ndodhur në banesën e familjes, në rrugën Tagliata. Pas sulmit me thikë, i riu është larguar nga vendi i krimit, duke lënë pas trupin e pajetë të nënës së tij.
U paraqit vetë në polici pas vrasjes
Pas largimit nga banesa, 21-vjeçari është paraqitur vetë në komisariatin e Karabinierëve në Kremona, ku ka rrëfyer ngjarjen. Deklarimi i tij vuri në lëvizje efektivët, të cilët shkuan menjëherë në adresën e familjes.
Kur mbërritën në banesën në rrugën Tagliata, karabinierët gjetën 39-vjeçaren pa shenja jete.
Ndërkohë, në vendngjarje kanë nisur punën specialistët e Seksionit të Investigimeve Shkencore të Karabinierëve të Brescias. Ekspertët po kryejnë veprimet e nevojshme për të dokumentuar provat, rindërtuar dinamikën e ngjarjes dhe përcaktuar rrethanat në të cilat ndodhi krimi.
Hetimet për zbardhjen e motiveve
Autoritetet italiane po vijojnë hetimet për të kuptuar se çfarë e çoi 21-vjeçarin drejt këtij akti të rëndë dhe nëse kishte pasur konflikte apo probleme të mëparshme brenda familjes.
Deri në këto momente, nuk janë bërë publike të dhëna të tjera mbi motivet e mundshme të vrasjes. Hetuesit po tregohen të rezervuar, ndërsa pritet që veprimet hetimore dhe ekspertizat në vendngjarje të hedhin më shumë dritë mbi tragjedinë familjare.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



