Tom Doshi kërkon zyra nga shteti në 60 bashki të vendit
Partia Socialdemokrate, e drejtuar nga Tom Doshi, ka kërkuar zyrtarisht ndërhyrjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, përmes një kërkese drejtuar kryekomisionerit Ilirjan Celibashi, duke ngritur shqetësimin se nuk ka hapësira zyrtare në bashkitë e vendit, ndonëse është një parti parlamentare me tre mandate në Kuvend.
Në një dokument të firmosur nga vetë Doshi, kërkohet që KQZ të ndërmarrë hapa për të ndikuar te kryetarët e bashkive, në mënyrë që t’u mundësohet vendosja në zyra shtetërore, pa kosto dhe pa pasur nevojë të paguajnë qira për hapësira private.
“Kemi kërkuar paraprakisht nga organet e pushtetit vendor në 60 bashki të Republikës së Shqipërisë që të na pajisin me ndërtesë për zyrat vendore të PSD-së”, thuhet në dokumentin e PSD-së.
Sipas kërkesës, vetëm Bashkia Elbasan ka vënë në dispozicion një ambient për selinë vendore të kësaj partie, ndërsa të gjitha bashkitë e tjera kanë refuzuar, duke deklaruar se nuk disponojnë ambiente të lira.
Tom Doshi thekson se, referuar rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të viteve 2021 dhe 2025, Partia Socialdemokrate i plotëson të gjitha kriteret ligjore për të përfituar zyrat në mënyrë të drejtë dhe të barabartë me partitë e tjera parlamentare.

Në kërkesë, PSD thekson edhe vështirësitë financiare, duke sqaruar se vetëm për zyra janë shpenzuar më shumë se disa milionë Lekë të rinj, një barrë që bie tërësisht mbi fondet e partisë.
“Subjekti, i ndodhur në kushtet e mungesës së likuiditeteve, ka qenë dhe mbetet i detyruar të kontraktojë ambiente vetëm gjatë fushatave zgjedhore për një pjesë të zyrave vendore, duke u cenuar në ushtrimin e aktivitetit politik në pjesën më të madhe të territorit – për shkak të burokracisë dhe mungesës së mbështetjes financiare për detyrime që ligji ia ngarkon shtetit”, thuhet në dokument.
Sipas PSD-së, përveç Bashkisë Elbasan, asnjë nga 59 bashkitë e tjera nuk ka vënë në dispozicion hapësira për seli vendore, duke refuzuar kërkesat me argumentin se nuk kanë ambiente të lira.
Një precedent i ngjashëm: Edhe Partia e Agron Shehajt kërkon mbështetje
Kërkesa e PSD-së vjen vetëm pak ditë pas një kërkese të ngjashme të Partisë Mundësia, drejtuar nga Agron Shehaj, e cila me dy mandate në Kuvend ka kërkuar që të ketë seli qendrore të mbuluar financiarisht nga shteti.
Këto zhvillime rikthejnë në vëmendje nevojën për një trajtim të barabartë të partive parlamentare në raport me mbështetjen logjistike që duhet të ofrohet nga institucionet shtetërore, siç parashikohet në ligjin për financimin e partive politike.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



