E premte, 13 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Trafikuan 7.5 tonë drogë, GJKKO refuzon lirimin e të akuzuarve
Lajme

Trafikuan 7.5 tonë drogë, GJKKO refuzon lirimin e të akuzuarve

Gjykata e Posaçme ka refuzuar kërkesën për lirimin nga burgu të Lulëzim Pepës, Fatjon Markut, Aleks (Shkëlqim) Pepajt dhe Ilir Lazrit, të dyshuar për përfshirje në një rrjet ndërkombëtar të trafikut të kokainës dhe pastrimit të parave.

Katër të pandehurit i ishin drejtuar GJKKO-së më 5 nëntor 2026, duke kërkuar zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest në burg” me një masë më të butë. Ata kërkuan gjithashtu që Prokuroria të paraqiste informacion me shkrim mbi hetimet e kryera dhe nevojat e sigurimit.

Pas shqyrtimit të kërkesës, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Alma Kodraliu vendosi, me vendimin nr. 995, datë 13 nëntor 2026, rrëzimin e saj. Shpenzimet gjyqësore do të përballohen nga vetë kërkuesit.

Ndaj këtij vendimi lejohet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit brenda pesë ditëve, duke nisur nga dita pas njoftimit të vendimit.

Dyshimet për trafikimin e mbi 7 tonëve kokainë

Sipas hetimeve të SPAK, Lulëzim Pepa, Fatjon Marku, Aleks (Shkëlqim) Pepaj dhe Ilir Lazri dyshohen si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, i cili ishte përfshirë në trafikun ndërkombëtar të kokainës dhe pastrimin e parave.

Grupi dyshohet se gjatë viteve 2019–2021 ka trafikuar mbi 7 tonë kokainë nga Amerika Latine drejt Europës, përmes të paktën tetë episodeve të transportit të lëndëve narkotike. Për këtë aktivitet dyshohet se janë përdorur portet e Roterdamit dhe Amsterdamit.

Hetimet kanë zbuluar gjithashtu dyshime për pastrimin e parave të përfituara nga aktiviteti kriminal.

Në kuadër të këtij procedimi penal janë sekuestruar 232 pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, vlera e të cilave përllogaritet në rreth 12 milionë euro.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.