E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Tritoli ndaj Oltjon Klosit, zbardhet skema dhe roli i Sabah Nuzit
Lajme

Tritoli ndaj Oltjon Klosit, zbardhet skema dhe roli i Sabah Nuzit

Dëshmia që implikon pazare droge

Hetimet për atentatin me tritol ndaj automjetit të 36-vjeçarit Oltjon Klosi kanë marrë një drejtim të ri, pas dëshmive që hedhin dritë mbi një skemë të organizuar kriminale të lidhur me borxhe droge dhe ndërmjetësim nga persona me precedentë penalë.

Sipas burimeve hetimore, dëshmia e Jurgen Gjonajt ka qenë vendimtare për zbardhjen e mekanizmit të ngjarjes. Ai ka pranuar se vendosi eksplozivin në automjet, duke vepruar për llogari të Sabah Nuzit, me qëllim shlyerjen e një borxhi prej rreth 15 mijë eurosh. Sipas tij, borxhi kishte lindur pas humbjes së një sasie droge në Gjermania, ndërsa atentati ishte konsideruar si një formë “pagese alternative”.

Fillimisht, policia dyshonte për një konflikt të drejtpërdrejtë mes Nuzit dhe Klosit, i lidhur me një borxh të mëparshëm në Spanjë. Megjithatë, hetimet e mëtejshme kanë përjashtuar këtë pistë, duke konfirmuar se mes tyre nuk kishte njohje direkte.

Versioni i ri hetimor sugjeron se Sabah Nuzi ka vepruar si ndërmjetës, duke dhënë porosinë për vendosjen e tritolit në emër të personave të tretë, të cilët dyshohet se kishin konflikte me objektivin. Identiteti i porositësve mbetet ende i paqartë.

Në kuadër të operacionit policor janë arrestuar shtatë persona. Jurgen Gjonaj, Renato Balla, Kristjan Ahmerama dhe Eklips Leti akuzohen për “Shkatërrim të pronës me eksploziv” në bashkëpunim. Ndërsa Glentjan Kojtari, Dorjan Hamolli dhe Geris Molla për “Përkrahje të autorit të krimit”.

Zbardhja e ngjarjes u mundësua edhe nga gjurmimi i një biçiklete të përdorur nga autori, e cila rezultoi e vjedhur dhe e fshehur në zonën e Laprakë, duke çuar hetuesit drejt identifikimit të zinxhirit të përfshirjes.

Profili i Sabah Nuzit

Sabah Nuzi, 33 vjeç, është një emër i njohur për drejtësinë shqiptare. Ai akuzohet si ekzekutor i Klevis Lleshit, një krim i dyshuar se është kryer kundrejt një pagese prej 50 mijë eurosh. Për këtë ngjarje, ai u arrestua në shtator të vitit të kaluar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.

Rekordi i tij penal përfshin gjithashtu raste të përdorimit të armëve, plagosje dhe kërcënime. Aktualisht ndodhet në burgun e Fushë-Krujës, i akuzuar për disa vepra të rënda, përfshirë “Vrasje për gjakmarrje”, “Organizatë kriminale” dhe “Mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve”.

Hetimet vijojnë për të identifikuar porositësit e vërtetë dhe për të zbardhur plotësisht rrjetin kriminal që qëndron pas këtij atentati.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.