Trump: SHBA do të dyfishojë tarifat për importet e çelikut dhe aluminit në 50%

Presidenti Donald Trump ka njoftuar se Shtetet e Bashkuara do të dyfishojnë tarifat për importet e çelikut dhe aluminit, nga 25% në 50%, duke filluar nga e mërkura. Lajmi u bë i ditur gjatë një tubimi në Pittsburgh të Pensilvanisë, ku Trump theksoi se kjo masë synon të forcojë industrinë vendase dhe të reduktojë varësinë nga importet, veçanërisht nga Kina.

Trump bëri të ditur gjithashtu se 14 miliardë dollarë do të investohen në sektorin e çelikut përmes një partneriteti mes US Steel dhe kompanisë japoneze Nippon Steel, megjithëse pranoi më pas se ende nuk kishte miratuar marrëveshjen përfundimtare.

“Nuk do të ketë pushime nga puna apo zhvendosje të prodhimit jashtë vendit,” deklaroi Trump, duke premtuar një bonus prej 5,000 dollarësh për punëtorët amerikanë të çelikut.

Ai tha se tarifat e vendosura në mandatin e tij të parë në vitin 2018 “e shpëtuan” US Steel dhe se rritja e tyre në 50% do të sigurojë mbijetesën e industrisë.

“Do ta vendosim çelikun e Pensilvanisë në shtyllën kurrizore të Amerikës,” u shpreh ai.

Punëtorët lokalë të çelikut kanë shprehur optimizëm për ndikimin e tarifave dhe investimeve të reja, megjithëse ka ende shqetësime rreth zbatimit të kontratave sindikale në partneritetin me Japoninë.

Publikuar nga Publik Media