Trump nesër në OKB, Shtëpia e Bardhë: Njohja e shtetit palestinez është shpërblim për Hamasin
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka cilësuar njohjen e shtetit palestinez si një “shpërblim për Hamasin”. Deklarata u bë publike nga zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, e cila theksoi se kreu i Shtëpisë së Bardhë do ta adresojë këtë çështje nesër gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
“Presidenti Trump do t’u kujtojë atyre vendeve se këto janë vetëm fjalë, jo veprime konkrete,” – tha Leavitt, duke iu referuar vendeve, përfshirë Francën, që kanë shprehur mbështetje për njohjen e shtetësisë palestineze.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, Trump pritet të mbajë një fjalim të ashpër ndaj organizatave ndërkombëtare që, sipas tij, “mbështesin globalizmin” dhe “minojnë rendin global”.
Gjatë qëndrimit në New York, presidenti amerikan do të zhvillojë takime dypalëshe me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, me presidentin e Argjentinës, si dhe me përfaqësues të Bashkimit Evropian.
Po ashtu, Trump do të marrë pjesë në një samit të posaçëm me liderë të disa vendeve me shumicë myslimane, përfshirë Katarin, Arabinë Saudite, Indonezinë, Turqinë, Pakistanin, Egjiptin, Jordaninë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Ky takim pritet të fokusohet në situatën e Lindjes së Mesme dhe përpjekjet për stabilitet rajonal.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



