“Lideri Global” e harron Kosovën kur ngjitet në podiumin e OKB-së
Në Kosovë pritej që fjalimi i kryeministrit Edi Rama në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së të kishte edhe një kapitull për zhvillimet e fundit që lidhen me ish-drejtuesit e UÇK-së dhe vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë.
Pritshmëritë ishin të dukshme edhe në mediat e Kosovës. Përpara fjalimit, Klan Kosova ngrinte pyetjen nëse Rama do të fliste për UÇK-në, ndërsa Telegrafi shkruante se me interes pritej nëse kryeministri shqiptar do ta përfshinte këtë çështje në fjalën e tij.
Por, kur Rama mori fjalën në sallën e OKB-së, Kosova nuk ishte pjesë e fjalimit.
Në rreth 22 minuta, kryeministri shqiptar u përqendrua kryesisht te inteligjenca artificiale, zhvillimet teknologjike dhe çështje të tjera të agjendës ndërkombëtare. Në fjalën e tij nuk u përmendën as “Kosova”, as “UÇK-ja” dhe as “Gjykata Speciale”.
Madje, vëmendje mori edhe referenca e Ramës për atë që e quajti “Revolucioni i Flamingove”, ndërsa tema e inteligjencës artificiale zuri një pjesë të rëndësishme të fjalimit.
Mungesa e çdo reference për Kosovën u vu menjëherë në dukje nga mediat në Prishtinë.
“Koha” e titulloi raportimin e saj: “Kosova pa zë në OKB, Rama flet për inteligjencën artificiale”, duke vënë në dukje se kryeministri shqiptar nuk e përmendi Kosovën gjatë fjalimit në Asamblenë e Përgjithshme.
Edhe “Kosovapress” e kishte në fokus të njëjtin fakt, me titullin se Rama nuk e përmendi në OKB dënimin e drejtuesve të UÇK-së. Në të njëjtën linjë raportoi edhe “Bota Sot”, duke theksuar se çështja e ish-krerëve të UÇK-së nuk u përfshi në fjalimin e tij.
Kështu, ajo që në Prishtinë ishte pritur si një moment ku Tirana mund të ngrinte në skenën më të madhe diplomatike një prej çështjeve më të ndjeshme për Kosovën, përfundoi pa asnjë përmendje të saj.
Dhe ironia bëhet edhe më e fortë po të kujtohen deklaratat e mëparshme të Ramës. Në një aktivitet të zhvilluar më herët, kryeministri kishte kritikuar ish-presidentin amerikan Joe Biden dhe SHBA-të, duke pretenduar se e kishin “tradhtuar” Hashim Thaçin dhe duke e cilësuar të padrejtë situatën e ish-krerëve të UÇK-së.
Por në podiumin e OKB-së, ku një deklaratë e tillë do të kishte peshë të drejtpërdrejtë ndërkombëtare, Thaçi, UÇK-ja dhe Kosova munguan tërësisht nga fjalimi.
Nga “lideri global” i rajonit, të paktën në këtë rast, Kosova duket se mbeti jashtë axhendës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



